Kuvend, Bujar Nishani betohet si President i Republikës
UPDATE- “Betohem. Zoti më ndihmoftë”. Ka qenë formula e betimit në Kuvend, të Presidentit të 6-të të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Menjëherë më pas është interpretuar himni kombëtarë. Në fjalën e tij të parë si President i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani iu drejtua ligjvënësve duke i garantuar për vullnetin dhe gatishmërinë e tij, për të qenë një President mbi palët. “Konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë time për të qenë një partner për mazhorancën dhe opozitën. Do t’i kem të hapura dyert për 5 vitet e ardhshme për mazhorancën dhe opozitën. Misioni ynë është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më të dashur për tu jetuar. Ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë më të qetë, të sigurt dhe kuptimplotë”- u shpreh Presidenti në fjalën e tij.
Ai shprehu angazhimin për reformën në drejtësi, si dhe apeloi për nevojën e konsolidimit të një klimë të qëndrueshme politike dhe vazhdimësinë e një dialogu për të ecur përpara me reformat. “Është fat që të gjitha forcat politike janë tërësisht “pro” evropiane. Kam besimin se me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, Shqipëria do të marrë me meritë statusin e vendit kandidat në BE-së”- tha Presidenti.
Pas betimit dhe fjalimit të mbajtur në Kuvend, Presidenti Nishani i është drejtuar selisë së Presidencës, ku do të zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës.