E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani betohet mbi Kushtetutë

Tiranë- Bujar Nishani u betua me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë si presidenti i 6-të i Repubublikës së Shqipërisë.

Betohem! Zoti më ndihmoftë!”, me këto fjalë të para nisi Nishani mandatin e tij si president i vendit, duke premtuar në fjalën e tij se do të një partner isinqert i opozitës dhe maxhorancës dhe një president mbi palët.

Në fjalën e tij të parë si Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u shpreh se do jetë President i shtetit 100-vjeçar, ndërsa konfirmoi vullnetin për të zbatuar me përpikëri ligjet e vendit. Reforma në drejtësi, ishte një pikë kyce, ku kreu i ri i shtetit, njëherësh edhe kreu i KLD, premtoi se do ta bënte atë funksional dhe transparent.

Gjatë 20 viteve të fundit përpjekjet e bëra kanë sjellë një Shqipëri më të lirë, më demokratike dhe më të zhvilluar. Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa. Shqipëria ka mjaft sfida me të cilat duhet të përballemi, detyrimin parësor e kanë institucionet. Presidenti i Republikes ka nje angazhim te rendesishem per te realizuar reformen ne fushen e drejtesise. Per fat te keq ka nje raport te theksuar mosbesimi mes qytetareve dhe sistemit te drejtesise. Vendosja e ketij besimi do te jete hapi me i mire, tha ai.

Marrja e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, ishte një nga prioritetet e presidentit të ri, Bujar Nishan. Me rastin e 100-vjetorit shpreh besimin se do marrim statusin e vendit kandidat në vjeshtë, deklaroi Nishani.

Bashkëpunimi me të gjitha palët politike ishte një nga premtimet e kreut të ri të shtetit.
Dyert e presidencës do jenë të hapura në 5 vite si për mazhorancën edhe për opozitën. Misioni im është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë e më demokratik, më të zhvilluar. Ta bëjmë jetën e fëmijëve tanë më të qetë e më të sigurte. Zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët, përmbylli fjalën e tij presidenti i sapobetuar.

Fjalimi zgjati rreth 30 minuta, ndërsa ceremonia tashmë u zhvendos në presidencë ku në orën19:30 të ftuarit i pret Bamir Topi për momentin e dorëzimit të detyrës. Nishani zhvilloi një takim me Presidentin ne largim Bamir Topi. Takimi që zgjati disa minuta ne zyren e ketij te fundit.

Te dy presidentet kanë zunë vend në krye të shkallëve të presidencës të shoqëruar nga kreu Protokollit të Shtetit. Pas dëgjimit të himnit kombëtar dhe 21 të shtënave me top, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja i dorezoi në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

“Sot ndihem me i privilegjuari dhe me i nderuari duke qene i zgjedhur ne postin me te larte te vendit. Qe nga ky cast mbaj mbi vete pergjegjesine me te madhe te mundshme qe mund te kete ne jeten e tij nje individ ne lidhje me vendin, shtetin, miqte dhe partneret”, tha Nishani ne ceremonine e zhvilluar ne Presidence.

Pas fjalës së Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Bamir Topi përshëndetet me Bujar Nishanin me shtrengrim duarsh. Bamir Topi sipas protokollit të ndryshuar nuk mbajti fjalim. Sh.T.Z.Bamir Topi përcillet deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit. Shoqërohej nga bashkëshortja.

Më herët presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani është betuar para Kuvendit të Shqipërisë në orën 18:40 ai ka përsëritur pas kryeparlamentares formulën e betimit.

Kryetarja e Parlamentit ka recituar formulën e betimit e cila më pas është ndjekur nga vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani:  Betohem! Më pas kanë vijuar notat e Himnit Kombëtar.

Bujar Nishani ka mbërritur në ambientet e Kuvendit në orë 18:38 ku është pritur me duartrokitje nga deputetët. Ndërkohë pak minuta më parë në 18: 34 kanë mbërritur në paralment kryeministri Berisha dhe kryeprokurorja Ina Rama.

Disa minuta më parë në selinë e Kuvendit kanë mbërritur diplomatët e huaj i ambasadori i OSBE, ai Bashkimit Europian dhe ai i Shteteve të Bashkuara, që do të ndjekin ceremoninë e Presidentit të ri të Republikës, Bujar Nishanit. Gjithashtu, kanë mbërritur edhe një pjesë e mirë e deputetëve.

Më 11 Qershor deputetët e Parlamentit Shqiptar votuan me 73 vota pro nga 76 deputetë që morën pjesë në votim për zotin Nishani, 2 votuan kundër dhe një votë u konsiderua e pavlefshme. Opozita nuk mori pjesë në raundin e katërt me 71 vota për kreun e ri të shtetit pas dështimit të tre raundeve të para, kohë kur palët tentuan të zgjidhnin një presindet konsensual. Por mësohet se sot të gjithë deputetët e saj do të jenë në sallën e Kuvendit kur të bëjë betimin presidenti i ri Bujar Nishani.

Ndërkaq ngjarja e sotme ka bërë që Policia e Tiranës të marrë një sërë masash për mbarëvajtjes e ceremonisë së betimit të presidentit Bujar Nishani. Përmes një njoftimi për shtyp policia bën me dije se janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të kësaj ceremonie zyrtare.

Duke filluar nga ora 06.00 – 22.00 e ditës së sotme ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët përgjatë Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” duke filluar nga Ura e Lanës deri tek sheshi “Nënë Tereza”. Gjatë këtyre orëve ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët e rrugës “Abdyl Frashëri” duke filluar nga bulevardi “Dëshmoret e Kombit” deri tek kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” (Librit Universitar). Duke filluar nga ora 17.00 – 22.00 ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjate Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” duke filluar nga Hotel “Rogner” deri tek sheshi “Nënë Tereza”.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›