E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvend/ Shkresa e Bardhit ndaj Nikollës, nis me debate seanca plenare

Ka nisur me debate seanca e sotme plenare (21 shtator) në lidhje me shkresën që demokrati Gazment Bardhi nisi pak para fillimit të Parlamentit, se 28 anëtarë e njohin atë si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Socialistja Ermonela Felaj komunikoi vendimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla për të mos e lexuar njoftimin e Bardhit, duke argumentuar se deputetët nuk mund të nisin shkresa me replikë kundrejt kryetares së Kuvendit.

“Ju s’mund të akuzoni kryetaren e Kuvendit se e ka futur Kuvendin në një situatë të paprecedentë, sepse atë po e bëni ju me veprimet dhe provokimet tuaja,” tha Felaj.

Por ky vendim nxiti reagimin e demokratëve, të cilët kërkuan leximin e njoftimit dhe vendimit të marrë nga grupi parlamentar demokrat më 19 shtator.

“Ju nuk çmoni dot njoftimet e PD. Nuk ka asnjë replikë për çështjet tona të brendshme me kryetaren e Kuvendit.

Në datë 19.09.2023 në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së është marrë ky vendim dhe ju do duhet të lexoni vendimin e grupit parlamentar të PD-së. Kemi marrë një vendim si grup parlamentar, jua kemi dërguar dhe ju jeni të detyruar ta lexoni, jo të interpretoni vendimet tona. Kemi njoftuar sipas nenit 16 të rregullores,” u shpreh Bardhi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›