E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvend/ Tabaku dhe Braçe, deputetët më efektivë, Basha pjesë e “të heshturve”! Balluku, ministrja më aktive

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku dhe ai socialist, Erion Braçe, janë cilësuar si deputetët më efektivë në Kuvend përgjatë shtator-dhjetor 2022. Renditja është bërë nga Instituti i Studimeve Politike në raportin e publikuar së fundmi mbi monitorimin e Kuvendit, sipas së cilit Tabaku dhe Braçe bëjnë diferencën për nismat ligjore dhe debatet në komisione, për propozimet për amendamente dhe ushtrimin integral të mandatit të deputetit, për deklarime cilësore në diskutime dhe për qëndrime me integritet. Pas tyre, në listën me 20 deputetë, renditen edhe Enkelejd Alibeaj, Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Taulant Balla e Petrit Vasili.

Por ndërkohë, krahas deputetëve aktivë në debatet në seancat plenare ka edhe deputetë që “zgjodhën” të heshtnin. Në këtë listë bëjnë pjesë 22 deputetë, mes të cilëve ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, deputetja socialiste Luljeta Bozo, Tomor Alizoti, Edi Paloka, Benet Beci dhe Zef Hila.

Ndërkohë në raport është vlerësuar edhe kontributi i ministrave, ku rezulton se ministrja më aktive në debate ka qenë Belinda Balluku me 19 fjalime në 11 seanca plenare, ndjekur nga 17 fjalime të ministres së Financave Delina Ibrahimaj, si dhe ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali me 15 fjalime. Kryeministri Edi Rama rezulton se statistikisht ka folur dy herë më pak sesa tri ministre të tij, por për nga minutazhi vijon të jetë deputeti më me shumë minuta fjalime në parlament.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›