E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvend, Vengu: Në pesë vitet e ardhshme gjenerojmë 2100 rezervistë në FA

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë” ka tre elementë kryesorë: Inkuadrimin dhe organizimin; kriteret e rekrutimit dhe trajtimit financiar; si dhe dobishmërinë e këtij shërbimi për FA dhe shoqërinë.

Duke marrë fjalën në seancën e sotme të Kuvendit, Vengu informoi se, forca rezerviste do të jetë një komponent i integruar me forcën aktive në funksion të rritjes së gatishmërisë së FA. Gjithashtu, theksoi ai, forcat rezerviste do të ofrojnë operim të shpejtë gjatë krizave dhe emergjencave, duke plotësuar kështu reagimin ndaj kërcënimeve të mundshme.

Në bazë të dy dokumenteve që janë miratuar në Parlament: Strategjisë Ushtarake dhe Planit afatgjatë të zhvillimit, parashikimi është që në 5-6 vitet e ardhshme të shtohen 2100 rezervistë të rinj në FA.

Ai tha se forcës rezerviste kanë të drejtë ti bashkohen shtetasit shqiptarë dhe ata që janë në diasporë. Angazhimi është vullnetar dhe kriter është që nuk duhet jenë të dënuar me burgim të formës së prerë. Mosha maksimale për ushtarët është deri 50 vjeç, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët. Rezervistët mund të jenë ish-ushtarakët në rezervë që mund të shërbejnë për shërbime specifike dhe kohëzgjatja e angazhimit mund të jetë 14- 45 ditë në vit.

Vengu theksoi se pr/ligji parashikon që subjektet private dhe shtetërore në rastet kur kërkohet aktivizimi i rezervistëve, janë të detyruar të japin leje.

Ai tha se, kostoja financiare për këtë sektor është parashikuar të buxhetin 2025, që përcakton financim për 11 kategori me pagë mesatare mujore 97 300 lekë dhe pagë ditore 4 600 lekë.

Vengu bëri të ditur se, në vitin 2025 do të financohet mobilizimi një kompanie rezerviste me 125 vetë, me kosto 155 milionë lekë dhe gjenerim forcash deri në 2030 me 4 kompani me 475 vetë, me kosto 593 milionë lekë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›