E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, nis përballja pozitë-opozitë për anëtarin e KQZ, diskutime nga 120 deputetë

TIRANË - Kuvendi nisi me vonesë punimet e seancës plenare të radhës , ku pritet të votohet kërkesa e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba.
Kërkesa, e miratuar një javë më parë nga Komisioni i Ligjeve, është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila e konsideron një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. 

Në kërkesën e saj shumica argumenton se me largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë u përmbysën raportet në KQZ dhe për pasojë edhe në komisionet e tjera të nivelit të dytë, gjë që sipas saj, e kalon nën kontrollin e opozitës gjithë procesin zgjedhor, duke paralajmëruar manipulime.
Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë një seancë e fortë për nga debatet, ndërkohë që janë regjistruar për diskutim 120 deputetë. 

PALOKA: PRISHJA E BARASPESHES NE KQZ KERCENON ZGJEDHJET
Ora 11:30 – Në fillim të seancës plenare, deputeti demokrat Edi Paloka lexoi relacionin e PD-së, ku renditen arsyet e kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI. Sipas Palokës, prishja e baraspeshës së KQZ-së, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ndërhyrja duhet bërë pa hezitim. Në kushtet kur procesi zgjedhor ka filluar prej kohësh dhe KQZ dhe nivele të tjera marrin përditë vendime të rëndësishme, në emër të grupit parlamentar kërkoj që kjo situate të zgjidhet nga Kuvendi, në mënyrë që të mos cënohet puna dhe eficenca e KQZ-së. Komisioni i Ligjeve i rekomandon kuvendit të lirojë nga detyra anëtarin e KQZ, Ilirjan Muho, të propozuar nga LSI, dhe të zëvendësohet vakanca e krijuar”- u shpreh Paloka.

PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR PARA SEANCES
Ora 10:00 - Deputetët socialistë mblodhën sot në orën 09:00 grupin parlamentar, ku vendosën rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë. Në përfundim të mbledhjes, që zgjati rreth 30 minuta, nuk pati asnjë deklaratë për mediat në lidhje me vendimet e marra. Por në mbledhjen e mëparshme të grupit, ditën e enjte, kur u shty edhe votimi për këtë çështje, deputetët diskutuan për një reagim të ashpër deri në bllokim të punimeve të Kuvendit. Pati edhe mendime për bojkot, por kjo nuk u pranua nga kryetari Rama.

ZGURI: SHKARKIMI NGA KUVENDI, RAST I PERSERITUR
Ora 07:20 - Një prej ish-anëtarëve të KQZ-së dhe njëherësh një prej kandidatëve të propozuar nga Partia Republikane për të zëvendësuar Muhon, Klement Zguri ka thënë se shkarkimi i një anëtari KQZ-je është një situatë e përsëritur në Shqipëri. Sipas tij, mandati i anëtarëve të KQZ-së është ndërprerë në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Këto mandate, ka sqaruar Zguri janë ndërprerë për shkak të marrëveshjeve politike dhe jo për shkak të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, siç e pretendon opozita që i referohet nenit 18 të këtij kodi.

Në bazë të këtij neni, mandati i anëtarit të KQZ-së përfundon kur ai kryen veprimtari politike, mbush moshën për pension, vdes, jep dorëheqjen nga detyra ose kur cenon veprimtarinë e KQZ-së, parashikime këto, të cilat nuk janë ndërmarrë nga anëtari i LSI-së në këtë institucion. Po sipas Klement Zgurit, edhe në rastet e iniciativave të ndërmarra nga Kuvendi në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vjeshtën e 2012, asnjë prej këtyre pikave nuk ekzistonte në kushtet kur Kuvendi ka vendosur të ndryshojë me votë parlamentare trupën e KQZ. Gjithçka mbetet për t’u parë sot në seancë.

VOTAT NË KUVEND
Paralelisht me negociatat duket se po vazhdon edhe kalkulimi i votave në Parlament. Ndryshimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon minimumi 71 vota, çka do të thotë se demokratët duhet të kërkojnë vota përtej koalicionit të tyre për të arritur këtë shifër.

Aktualisht, Partia Demokratike ka 66 deputetë në Kuvend dhe kjo shifër shkon në 69 po të llogariten edhe votat e dy deputetëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe një votë e Partisë Republikane. Këto janë votat 100 për qind të sigurta të koalicionit të djathtë. Në të njëjtën kohë, vota të mundshme për t’iu bashkuar alternativës së shkarkimit të anëtarit të LSI-së mund të konsiderohen edhe ato të dy ish-deputetëve të PS-së, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët janë shprehur se mbështesin PD--në në këtë nismë.

Të pavendosur janë dy deputetët e tjerë të pavarur, Kastriot Islami dhe Dritan Prifti. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka 61 deputetë, të cilët nëse do të ketë votim në seancën e sotme, do të jenë të gjithë të pranishëm. Këtyre votave u shtohen edhe katër të LSI-së, e cila është më e prekura e këtij votimi, por edhe vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në të njëjtin krah pritet të rreshtohet edhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera KQZ, Muho: Nuk dorëhiqem, jam betuar në Kuvend. Meta: Largimet hakmarrje politike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›