E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, sot shqyrtohet rritja e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët

Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë sot projektligjin e paraqitur nga ministri i Drejtësisë Eduard Halimi për rritjen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në një mesazh të postuar dje në rrjetin social Facebook, ministri Halimi theksoi se përmirësimi i statusit të prokurorëve është një nga çështjet e rëndësishme të reformës në drejtësi dhe se pagat më të larta për aktorët e drejtësisë, do të kenë impakt në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies.

Në parlament, pagat e prokurorëve rriten me 20%.  Pagë jo më e vogël se 1 milion lekë në muaj për prokurorët e shkallës së parë. Pagë jo më pak se 1 milion e treqind mijë lekë për prokurorët e apelit, dhe krimeve të rënda të shkallës së parë. Pagë jo më pak se 1 milion e katërqind mijë lekë për prokurorët e krimeve të rënda të apelit,  shkruan ministri.

Ai shton se çdo prokuror që ka një vjetërsi prej 25 vjetësh, përfiton pagën e prokurorit më të lartë, edhe në rast se nuk do të ketë mundësi të promovohet për shkak të mungesës së vakancave në institucione. Ministri vë në dukje se paga më të larta, përmirësim i statusit do të ndikojnë në rritjen e pavarësisë dhe paanësisë së prokurorëve nga vektorët ekonomikë, dhe do të reduktojë korrupsionin në këto Institucione duke konsoliduar sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, në tërësi reforma e rritjes së pagave do të prekë më shumë se 1 mijë prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të policisë gjyqësore në vend.

Do të ndihmojë ata qindra prokurorë e gjyqtarë që sapo kanë nisur karierën e tyre, ata qindra prokurorë e gjyqtarë që e nisin ditën e tyre me mendimin për të kryer punën me përkushtim e ndershmëri, për emrin e tyre dhe të familjes së tyre. Ne duhet të besojmë tek drejtësia, ajo për të qënë më e drejtë ka nevojë për besimin tonë, përfundon komentin e tij në Facebook, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›