Kuvendi, Elvis Cefa zgjidhet anëtar i KLD-së me votat e maxhorancës

Elvis Cefa
Kuvendi ka zgjedhur vetëm me votat e maxhorancës Elvis Cefën si anëtar i KLD-së. Opozita nuk ka marrë pjesë në votim, për shkak të debateve me përfaqësuesit e maxhorancës për mënyrën e votimit.
Fillimisht të dy palët kanë rënë dakord për votimin e fshehtë me kuti, por maxhoranca ka kërkuar firmosjen e fletëve. Opozita e ka kundërshtuar këtë mënyrë votimi, duke e bojkotuar atë, madje në sallë ka pasur edhe momente tensioni.
Votimi është kryer në mënyrë elektronike, ku kandidatura e Cefës ka marrë 71 vota. Pro kandidatit të PD-së për në KLD ka votuar edhe kryetari i PR, Fatmir Mediu. Ndërsa deputetët e LSI-së nuk i janë bashkuar maxhorancës. Tre deputetët e LSI-së: Ilir Meta, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka e kanë bojkotuar votimin.
Elvis Cefa, kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, bëhet kështu anëtari më i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas largimit të nënkryetarit Kreshnik Spahiu.
Braçe: Qeveria privatizon fitimet e shtetëzon humbjet
KESH është i zhytur në borxhe dhe pasojat për këtë i paguajnë qytetarët shqiptarë, të cilët po përballen me fatura të energjisë elektrike 60 për qind më të larta se në vitin 2005.
Në seancën e sotme në Kuvend, deputeti i PS-së, Erion Braçe, u shpreh se kompanitë e sigurimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike janë futur në një labirint borxhesh, të cilat rëndojnë në mënyrë abuzive në xhepat e konsumatorëve përmes rritjes së çmimit.
Niveli aktual i kredive të zhvillimit të marra nga KESH-i është 208.8 milionë euro. Sikur të ishte vetëm kaq borxhi i KESH-it do të ishte mall, sepse një tjetër tabelë tregon borxhin e tij ndaj bankave të nivelit të dytë. Në janar 2012, shifrat tregojnë se KESH kishte borxh 140.1 milionë euro të tjera. Borxhet principale arrijnë mbi 450 milionë euro.
E njëjta situatë është edhe te CEZ-i. Borxhet mbarten mbi kurrizin e çdo shqiptari, duke rritur çmimin në mënyrë abuzive. Tashmë po mblidhen kamatëvonesat e viteve 2007-2010 të faturave të paguara. Qeveria po privatizon fitimet, po shtetëzon humbjet. Pasojat i paguan qytetari shqiptar, tha Braçe.
* * *
Vendi vakant në KLD dhe mandati i Seserit, sot në Kuvend
Dy vendet vakante në qendër të debateve politike ditët e fundit do të diskutohen në seancën e sotme parlamentare.
Dy kandidaturat për vendin vakant në KLD, Ardian Visha i propozuar nga PS-ja dhe Elvis Cefa nga PD-ja, pritet të votohen sot, ndërsa gjatë seancës do të diskutohet edhe për mandatin e lënë vakant nga largimi i deputetes socialiste Rudina Seseri.
Largimi i Kreshik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së ka shkaktuar debate mes maxhorancës dhe opozitës, të cilat kanë propozuar kandidatët e tyre, që pritet të votohen sot në një votim të fshehtë.
Gjithashtu, në seancën e sotme, PD-ja dhe PS-ja do të paraqesin një raport të përbashkët në lidhje me mandatin socialist të lënë bosh pas largimit të Seserit. / G.N.