Kuvendi: Të kontrollohet KLSH-ja

Ideja u hodh gjatë prezantimit në Kuvend të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku anëtarët e komisionit pyetën kryetarin Robert çeku nëse ka brenda KLSH-së ndonjë strukturë të pavarur që monitoron buxhetin e këtij institucioni.
Një tjetër pyetje drejtuar çekut ishte nëse ka ndonjë strukturë antikorrupsion brenda KLSH-së për të kontrolluar punën e inspektorëve.
Në debat e sipër, deputetët e panë të arsyeshme krijimin e një hallke që do të kontrollonte nga afër punën e KLSH-së, si dhe të institucioneve të tjera të pavarura, gjithnjë sa u takon shpenzimeve të buxhetit.
“Jam plotësisht dakord që të kontrollohet buxheti i KLSH-së, mënyra sesi shpenzohet etj. Kjo duhet të vlejë edhe për institucionet e tjera të pavarura, sikurse ndodh në vende të ndryshme të botës”, tha kreu i KLSH-së, Robert çeku.