PS-ja e Durrësit pa kryetar, në garë Bardhyl Agasi
Dega socialiste ka mbetur pa kryetar pas largimit të Ikonomit, pritet ndërhyrja e kryesocialistit Rama
Baza socialiste rebelohet kundër kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku u vendos dhe për rinisjen e protestave, një pjesë e socialistëve të Durrësit janë deklaruar kundër protestave. Nga ana tjetër, rryma anti-Rama në këtë degë po kërkon që të marrë kryesimin e degës, duke kërkuar që të vijë në krye të partisë Bardhyl Agasi. Kërkesa e tyre vjen pas largimit nga Rama të kreut Edison Ikonomi, duke e lënë prej muajsh pa drejtim këtë degë. Siç mësohet, Agasi ka gjetur mbështetjen e një pjese të socialistëve durrsakë, duke u premtuar atyre një punë më të mirë në drejtimin e partisë, e cila është e shkërmoqur, sipas tij. Mbështetja Mbështetësit e Agasit janë drejtuesit e parë të PS-së në qytetin bregdetar, si ish-deputetja Natasha Paço, ish-deputeti Zihni Beqiri, por edhe anëtarët e kryesisë, Agron Kuqi, Rrahman Braho, Zija Kushta, e shumë të tjerë, që renditen në zërat ndryshe në degën e socialistëve në Durrës. Prej afro 7 muajsh, dega e PS-së në Durrës është e ndarë pas largimit të kreut të saj Ikonomi, i cili u zgjodh dhe u largua nga detyra po nga kryetari Rama. Vendimi i kryesocialistit ka ardhur pas betejave në kryesinë e degës, ku i riu Ikonomi nuk ka mundur të përballet me firmuesit e peticionit drejtuar Ramës. Reagimi për vendimin e Asamblesë Socialiste për të rinisur protestat, ka qenë i ashpër nga shumica e kryesisë së degës në Durrës. Të mbledhur në zyrat e selisë rozë, ish-deputetët dhe anëtarë të kryesisë që kundërshtojnë vendimet e Ramës, i kanë kërkuar atij rikthimin e Bardhyl Agasit në krye të degës dhe largimin nga mentaliteti i protestave, pasi kjo po dëmton bazën socialiste dhe imazhin e vendit në Evropë. Dega e Durrësit vazhdimisht ka kundërshtuar vendimet e Ramës, që nga zgjedhja e tij si kryetar i PS-së 4 vite më parë. Por ajo duhet thënë se e tillë ka qenë edhe në kohën kur kryetar partie ishte Fatos Nano. Agasi njihet për reputacionin e tij të padiskutueshëm në bazën socialiste të Durrësit. Ai për tri legjislatura ka qenë deputet i PS-së, por aktualisht është lënë jashtë forumeve nga vetë Rama. Kjo ka bërë që Agasi së bashku me Natasha Paçon të shërbejnë si një zë i fortë në radhët kundër Ramës në qytetin bregdetar. Dega e PS-së në Durrës ka muaj të tërë që gjendet pa kryetar, pa kryesi dhe pa drejtues provizor, ndaj edhe shumica e atyre që ishin të mandatuar si anëtarë të piramidës së saj drejtuese, ndjehen të fyer dhe të braktisur nga Rama. Në thirrjen e tyre, ata kërkojnë që brenda datës 15 prill të bëhen zgjedhjet për kryetarin e ri të degës, duke absolutizuar kandidaturën e ish-deputetit Bardhyl Agasi. Ai tashmë si kundërpeshë për Ramën, gëzon një reputacion të padiskutueshëm në shumicën e bazës socialiste në Durrës, gjë e cila bashkë me problemet e panumërta që ka kjo degë, ndoshta do ta detyrojë Ramën të japë verdiktin e tij. Thirrja drejtuar Ramës ka qenë ultimative, madje ata kanë arritur deri atje sa i kanë deklaruar kryesocialistit se po qe se ju nuk dëgjoni zërin tonë, pas 15 prillit, ne do të mblidhemi dhe do të bëjmë zgjedhjen tonë. Deri dje në mesditë, Rama nuk ka kthyer asnjë përgjigje gojore apo shkresore drejt PS-së së Durrësit, por gjithsesi mësohet se ai ka gjasa të shkojë vetë atje pas ditës së hënë, ku natyrisht do të marrë me vete edhe Gramoz Ruçin, për të sqaruar situatën e krijuar.