E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi diskuton p/ligjin për sistemin e pagesave

TIRANË- Kuvendi diskutoi të hënën projektligjin për sistemin e pagesave të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Relatori i këtij p/ligji Selami Xhepa tha se qëllimi i projektligjit është përcaktimi i rolit të Bankës Qendrore në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit të pagesave në Shqipëri.

Projektligji synon gjithashtu të rregullojë ndarjen e kompetencave ndërmjet BSH-së dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me sistemet e klerimit dhe shlyerjes së titujve.

Në terma ndërkombëtare është pranuar teza që bankat qendrore duhet të kenë një juridiksion të veçantë për infrastrukturën e shlyerjes së instrumenteve financiare.

Sipas këtij modeli, BSH siguron një rregullim dhe mbikëqyrje gjithëpërfshirëse të urdhër-transfertës në cash dhe urdhër-transfertës së titullit, pjesë të një transaksioni financiar. Një përqasje e tillë kontribuon edhe në cilësinë e mirë të operacioneve të politikës monetare, ku kreditë jepen ndërmjet një sistemi pagesash në vlera të mëdha, ndërsa titujt e vënë si kolateral në favor të bankës vendosen në sistemin e shlyerjes së titujve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›