E Shtunë, 31 Tetor 2026

P/ligji "për noterinë", Halimi: Këputëm fijet e korrupsionit, Rama quan noterët mediokër

TIRANË- Kuvendi diskutoi të hënën disa ndryshime në ligjin "Për veprimtarinë e noterisë", në kuadër të ndryshimeve të fundit në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi duke folur për këto ndryshime tha se, ato përbëjnë një nga reformat më eficente në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe që kanë marrë vlerësimin edhe të ndërkombëtarëve.

"Raporti i fundit i Bankës Botërore, i publikuar vetëm pak javë më parë, e cilëson reformën për noterinë si një nga më eficentet në sistemin e drejtësisë. Ftoj qytetarët dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, që të mos i shohin gjërat në këtë vend me imagjinatën e kryetarit të PS-së, pasi kjo është Shqipëria reale edhe për noterinë", theksoi Halimi.

Sipas tij, vetëm dy vite më parë qytetarët shqiptarë rropateshin zyrave të regjistrimit të pasurive për të marrë një shërbim. "Por, ne ndërtuam sistemin 'one stop shop' për noterët që është më eficenti dhe larg korrupsionit. Opozita e kundërshtoi këtë sistem duke u shprehur se ai do ta bënte noterinë edhe më të korruptuar. Por, pyetini sot noterët, të cilët kryetari juaj i quan "mediokër'", iu drejtua ministri deputetëve të opozitës.

"Ne, vijoi ai, kemi ndërtuar një sistem model duke shkëputur tërësisht kontaktin e qytetarit me zyrtarin apo me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ne kemi arritur kështu të shkëpusim fijet e korrupsionit. Nga sot ne e përfundojmë këtë reformë dhe futemi në sistemin e noterisë elektronike, ku noterët nuk do të kenë më regjistra në letër, pasi i gjithë informacioni është elektronikisht dhe mundësia për të gabuar apo për të bërë veprime abuzive po shkon drejt zeros", theksoi ministri i Drejtësisë sot në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›