Kuvendi gati për Legjislaturën e XI – Anëtarësimi në BE, në qendër të veprimtarisë parlamentare

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nëpërmjet një video-mesazhi të ndarë në rrjetet sociale, deklaroi se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025 është gati për të mirëpritur 140 deputetët e Legjislaturës së XI.
Po nëpërmjet këtij mesazhi, Spiropali ndau edhe disa detaje nga përgatitjet për nisjen e sesionit të ri parlamentar më 12 shtator.
“Një kapitull i ri i veprimtarisë parlamentare do të nisë me Legjislaturën e XI të Kuvendit, ku 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse,” nënvizohet në video-mesazh, duke theksuar se prioritet kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Të dhënat për mozaikun e ri parlamentar
Karahas theksit se Kuvendi, si garant i shtetit të së drejtës dhe mbrojtës i demokracisë, luan rol thelbësor në përmbushjen e kërkesave për integrim përmes miratimit të reformave, përmirësimit të kuadrit ligjor, forcimit të institucioneve dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, një rëndësi merre edhe përfaqësimi në Kuvend gjatë kësaj legjislature, i cili pasqyron edhe diversitetin e shoqërisë shqiptare.
“Mosha mesatare e deputetëve është 47.5 vjeç, duke kombinuar përvojën me energjinë e re. 35% e deputetëve janë gra. Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë i përkasin fushave të tjera si mjekësia, shkencat natyrore, sociale e politike, si edhe nga inxhinieria, arti dhe sipërmarrja.”, janë disa informacione mbi të cilat vihet theksi në video-mesazh.
Mësohet gjithashtu se në Parlamentin e ri, 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor Shkencash”, ndërsa 5 mbajnë titullin “Profesor”.
Për një fillim sa më të mirë të sesionit të ri parlamentar, administrata ka përgatitur edhe materiale orientuese dhe sesione informuese.
Ndërsa zyra e pritjeve të deputetëve do të afrojë asistencë për njohjen e institucionit dhe detyrave si parlamentar.
“Kuvendi angazhohet për transparencë, efikasitet dhe një proces gjithëpërfshirës, ku vendimmarrja në interes të qytetarit, forcimi i besimit dhe ndërgjegjësimi mbi rolin thelbësor të Kuvendit në procesin e demokratizimit dhe integrimit janë prioritet përmes nismave për parlamentin e hapur dhe edukimin qytetar. Legjislatura e XI e Kuvendit, një hap i sigurt drejt të ardhmes europiane të Shqipërisë,” mbyll Spiropali video-mesazhin.
/rtsh.al/