E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi hap TV-në e vet? Gjysmë milionë euro për transmetime live, kronika dhe intervista

Në kulmin e debateve nëse Radio Televizioni Shqiptar duhet të mbyllet ose jo, Kuvendi i Shqipërisë prezanton projektin për një televizion të vetin, i cili do të prodhojë materiale edhe për RTSH-në.

Me një investim prej 500 mijë eurosh, Byrosë së Kuvendit iu kërkua miratim për krijimin e një redaksie televizive për institucionin.

“Media Room-i është menduar të jetë një qendër e integruar multimediale brenda Kuvendit të Shqipërisë, e konceptuar si një “redaksi televizive” profesionale, që funksionon në mënyrë të përhershme dhe bashkëpunon ngushtë me RTSH-në për transmetimin në kanalin RTSH Kuvend”, thuhet ndër të tjera në relacion.

Për këtë synohet të ngrihet një drejtori e re pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit, e cila të ketë rol të trefishtë, sipas dokumentit.

“Informues: të përcjellë në mënyrë transparente punën parlamentare për qytetarët.

Analitik: të shpjegojë proceset legjislative, reformat dhe ndikimet e tyre.

Edukues: të ndihmojë qytetarët të kuptojnë funksionet dhe rolin e Kuvendit”.

Fillimisht parashikohet të nisë puna me strukturë të reduktuar redaksie me staf minimal, prodhim të përmbajtjeve bazike: Transmetime live, kronika, intervista, bashkëpunim i plotë me RTSH-në, për transmetimin dhe arkivim të materialeve.

Ndërkohë 500 mijë eurot do të shpenzohen për studio televizive moderne, prodhim të plotë video/audio për TV Parlamentar, dhe platformë publike televizive të Kuvendit, e integruar me shërbimet e Inteligjencës Artificiale.

Iniciativa premton të ofrojë përmbledhje dhe analiza: kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike mbi çështje ligjvënëse dhe debate, të transmetuara në RTSH Kuvend, online dhe në rrjete sociale.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama shfaqi hapur kritika për mënyrën e menaxhimit të Radio Televizionit Shqiptar, duke e quajtur një dështim.

“Kam tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje, ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam, parë është në vitin 1990 pata përmbysjes së protestave. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten skam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh, se kam shkuar në një përshpirtje atje që duhet përshpirtje publike, më kanë parë i kam parë ata në sallë dhe jashtë studios s’më ka parë njeri. Drejtuesit e RTSH, të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më thoni shiko çfarë bën RTSH. Të gjithë drejtorët i kam takuar pasi janë zgjedhur. U kam thënë mbylleni, nxirrni në ekran, televizioni publik i kërkon ndjesë popullit, të gjitha familjeve, në republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni edhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob, ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati dhe të bëjmë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera me më pak buxhet shumë më tepër sukses, sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›