E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë dhe i Kosovës, bashkërendim të punës në fushën legjislative Bahri Hysenaj dhe Jozefina Topalli

Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës do të intensifikojnë bashkërendimin e punës, veçanërisht në fushën legjislative. Përfaqësues të Komisionit të ligjeve të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Bahri Hysenaj, ishin sot në zyrën e Kryetares së Kuvendit e më pas në komisionin e ligjeve, në një bisedë të hapur e konkrete për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për një bashkëpunim në kuadrin legjislativ. Delegacioni parlamentar i Kosovës shprehu interes për marrjen e përvojës nga Kuvendi i Shqipërisë në hartimin e legjislacionit bazë, por në mënyrë të veçantë, për përafrimin e ligjeve të brendshme me legjislacionin evropian. Topalli tha se Kuvendi i Shqipërisë mbetet i hapur për dhënien e përvojës, jo vetëm në çështjet ligjore por edhe të çdo interesi në shërbim të bashkëpunimit për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve në Kosovë. Ajo vlerësoi punën e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës në ecjen e shpejtë me hapa të sigurt në forcimin e shtet të së drejtës dhe demokracisë. Duke folur mbi axhendën parlamentare, kryeparlamentarja tha se, rreth 150 ligje të kaluara në këtë fillim legjislature janë pjesë e rëndësishme, jo vetëm e plotësimit të detyrimeve për heqjen e vizave dhe përafrimit me BE-në, por edhe bazë e reformave të mëdha ligjore e ekonomike. Deputetët e Kosovës theksuan se në çdo vizitë të tyren në Shqipëri shohin gjithnjë e më shumë transformimin dhe ecjen galopante infrastrukturore dhe ekonomike të Shqipërisë duke e konsideruar një model zhvillimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›