Priten ndryshime në ambasadat shqiptare, Dervishi do të zëvendësojë Minarollin Gjatë punimeve në Komisionin e Politikës së Jashtme

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për Ambasadorë, Dashnor Dervishi dhe Flamur Gashi, për Greqinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Kandidaturat u prezantuan nga Sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitoze për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë. Dashnor Dervishi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre. Ai e cilësoi emërimin e tij si një detyrë të rëndësishme përsa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të urave lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Dervishi tha se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, europian por edhe më gjerë. “Greqia është për Shqipërinë një partner strategjik përsa i përket marrëdhënieve politiko-ekonomike, bashkëpunimit europian por edhe më gjerë. Një nga detyrat kryesore do të jetë vendosja e kontakteve në nivel presidencial, qeveritar dhe parlamentar, në thellimin e bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimit të vizitave si dhe forcimin e këtyre urave të kontaktit” u shpreh ai. Pasi u njohën me prezantimin e kandidaturës së Dashnor Dervishi, anëtarët e Komisionit të Jashtëm dëgjuan prezantimin e Florian Gashit, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, ku vendi ynë për herë të parë do të çelë selinë e tij diplomatike në këtë shtet. Ai theksoi se për çdo shqiptar është nder dhe privilegj të përfaqësojë Shqipërinë. Duke vënë në dukje se për herë të parë Shqipëri do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Bosnje-Hercegovinë, zoti Gashi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve që do të shkojnë drejt intensifikimit të mëtejshëm. “Vlen për tu theksuar pakicat shqiptare në Bosnje, të cilat do të jenë një pikë kyçe përsa i përket bashkëpunimit të dy vendeve. Promovimi i vlerave kulturore shqiptare në Bosnje si dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve do të jenë pjesë e objektivave kryesore në këtë detyre” u shpreh Gashi. Pasi u njoh me dy kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme, Komisioni i Jashtëm vijoi diskutimet me dyer të mbyllura.