Kuvendi i Shqipërisë, hap dyert për 8 Marsin

Kuvendi i Shqipërisë, ka hapur dyert për 7-8 Marsin, për mësuese, shkrimtare, artiste, biznesmene, nëna e gra nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë. Teksa kanë ngjitur shkallët e Kuvendit, miket e veçanta të kësaj dite, u ndalën në komisionet parlamentare, në sallat e mbledhjeve, në mjediset ku çdo ditë debatohet e bëhen ligje. Mikpritësja, Kryetarja e Kuvendit u uroi mbarësi e sukses në jetë, të gjithë vajzave, motrave dhe nënave, atyre që Zoti u ka dhënë madhështinë e amësisë, sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë në këtë botë se nënat. Në bisedat me të ftuarat Kryetarja e Kuvendit ndau me to gëzimin por edhe shqetësimet e përditshme, duke i inkurajuar fort për të mos u dorëzuar kurrë e për t’i shndërruar historitë e tyre në histori suksesi.