E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë raporton në Komitetin e të Drejtave të Njeriut në OKB

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë ka raportuar në raundin e tretë periodik të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, i cili u mbajt në Gjenevë të Zvicrës, në datat 11-12 Mars.

Krah institucioneve ligjzbatuese, institucioni i Kuvendit në delegacionin zyrtar shqiptar, u përfaqësua nga Drejtorja e Kabinetit të Kryetares së Kuvendit Evis Fico dhe dy këshilltaret e Shërbimit Legjislativ, Sonila Kadareja dhe Flavieta Bala.

Gjatë raportimit dyditor, mbi ecurinë dhe sfidat në respektimin e të drejtave themelore politike dhe civile, në përgjigje të pyetjeve të ngritura nga ekspertët të Komitetit, në kuadër të parashikimeve të Konventës, Fico raportoi shpjegime lidhur me çështje të ndryshme e kryesisht mbi, mandatin dhe zgjedhjen e drejtuesve të dy institucioneve të pavarura, Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe procedurat e ndjekura në parlament.

Ajo vuri në dukje rolin e Kuvendit në forcimin e institucioneve të pavarura, duke përmendur gjithashtu mekanizmat e monitorimit të këtyre institucioneve. Gjithashtu, kryesuesja e ekipit të Kuvendit informoi Komisionin lidhur me projektin më të ri të mbështetur nga Qeveria Zvicerane për ngritjen e platformës digjitale të monitorimit të rekomandimeve të 26 institucioneve të pavarura dhe përmes tyre edhe të mekanizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, si dhe bashkërendimin e punës midis Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të pavarura.

Drejtorja e Kabinetit të Kryetares së Kuvendit iu përgjigj edhe pyetjeve mbi lirinë e shprehjes, mbrojtjen e gazetarëve dhe luftën kundër dhunës digjitale, duke theksuar ndryshimet në ligjin e mediave audiovizive dhe udhërrëfyesin 2024-2030.

Ajo theksoi përmirësimet në të drejtat politike, përfshirë mundësinë e votës për diasporën në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Kryesuesja e ekipit të Kuvendit raportoi gjithashtu në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar rezolutat dhe angazhimet e ndërmarra për mbrojtjen e tyre.

Gjatë raportimit, ajo nënvizoi masat ligjore dhe parlamentare për luftën kundër korrupsionit dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.

Ajo paraqiti të dhëna nga raportet e institucioneve të pavarura si SPAK, KQZ, PP dhe rezolutat e miratuara për mbështetje të këtyre institucioneve. Kryesuesja e delegacionit shqiptar, Vasilika Hysi, falënderoi Kuvendin për kontributin në mbulimin e çështjeve të ngritura nga ekspertët gjatë raundit të tretë të raportimit. Ajo theksoi se, përmes ratifikimit të Traktateve të të Drejtave të Njeriut dhe konventave të Këshillit të Evropës, Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj për zbatimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kryetari i Komitetit, Changrok Soh, vlerësoi përparimet e Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e rekomandimeve për avancimin e të drejtave civile dhe politike, si dhe të mekanizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve demokratike në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›