Kuvendi kalon projektligjin për imunitetin, bie nisma e PS

Pas 10 vitesh përpjekje, mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat sot, duke e kaluar në Parlament projektligjin për kufizimin e imunitetit. Me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në Kuvend kufizimi i imunitetit, ndërsa është rrëzuar paketa e propozimeve të PS për ndryshimet kushtetuese me 60 vota pro, 63 kundër dhe 6 abstenim. Gjatë seancës ka pasur debate të ashpra, me në fokus propozimet e PS për drejtësinë, ku palët kanë hedhur akuza dhe kundër akuza ndaj njëri-tjetrit. Kryeprlamentarja Topalli e ka vlerësuar një ngjarje të rëndësishme miratimin e projektligjit për kufizimin e imunitetit, ndërsa ftoi deputetët që nesër të votojnë edhe ligjin për Gjykatën e Lartë.
Wollfarth mirëpret kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kufizojnë imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
"I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t`i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji", tha Wollfarth. "Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit".
"Gjithashtu, ftoj për debate dhe konsultime të plota dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë proces", tha ai.
Nishani: Klasa politike dëshmoi përgjegjësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit ne BE
Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga Brukseli, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, përshëndet votimin sot në Parlament dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve.
"Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve.
Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë.
Përmes këtij akti, klasa jonë politike dëshmoi maturi, përgjegjësi dhe aftësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë.
Angazhimi i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës në këtë proces evidentoi qartë përgjegjshmërinë dhe vlerat e konsensusit në çështje të rëndësishme për interesat e vendit.
Duke i përgëzuar edhe njëherë parlamentarët shqiptarë për këtë akt të përgjegjshëm, dëshiroj t`i nxis dhe t`i inkurajoj ata të vijojnë bashkëpunimin në kryerjen e reformave të domosdoshme përmes dialogut politik dhe konsensusit të nevojshëm " - theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.