Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe miraton shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm të Kodit Zgjedhor.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, 30 tetor 2008, ora 10.00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Para fillimit të punimeve, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti në sallën e Parlamentit, nxënës nga gjimnazi i Tiranës "Partizani".
Kryetarja e Kuvendit u dha përgjigje pyetjeve të shumta të nxënësve për funksionimin e pushtetit legjislativ, marrëdhënieve të pozitës dhe opozitës, procedurat e hartimit dhe miratimit të ligjeve, rolit të saj si drejtuese e Kuvendit dhe nismave të Kryetares në mbështetje të grave, dhe pjesëmarrjes së tyre në politikë.
Më tej Kuvendi procedoi me këtë rend dite:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60').
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 27.10.2008.
3. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë për lehtësimin e lëshimit të vizave.
4. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar".
5. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8872, datë 29.03.2002, "Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë".
6. Projektligji "Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8932, datë 25.07.2002 "Për dërgimin e një force ushtarake shqiptare në Afganistan në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit" të ndryshuar".
Jashtë rendit të ditës deputetët trajtuan çështje si reforma për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, marrëveshja e liberalizimit të vizave, nisma e bashkimit të Partisë Demokrate me Partinë Demokratike të Reformuar, rritja e pagave dhe pensioneve, investiment në arsim, procesi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO etj.
Deputetët miratuan me shumicë votash të gjithë pikat e rendit të ditës.
Deputetët miratuan gjithashtu dhe shtyrjen e afatit të punimeve të Komisionit të Posaçëm për Kodin Zgjedhor, deri në 14 nëntor 2008.
Seanca plenare i mbylli punimet në orën 12.00