E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Bashkjetesa fetare në Shqipëri, shenjë e qytetërimit të kombit.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti sot Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues i Selisë së Shenjtë në Shqipëri.   Duke vlerësuar marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, Kryetarja e Kuvendit, theksoi se fushat e bashkëpunimit janë të shumta dhe shtimi i kontakteve është i një rëndësie të veçantë.   Për Selinë e Shenjtë, tha Imzot Ramiro Moliner Ingles, nuk ka asnjë dyshim se Europa ka nevojë për Shqipërinë, sepse Shqipëria është pjesë e Europës. Do të keni, si gjithmonë  të gjithë mbështetjen tonë gjatë rrugës tuaj. Duke u ndalur në modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi atë një aset të çmuar.
Modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, tha Kryetarja e Kuvendit, është jo vetëm unik, por është një tregues i qytetërimit dhe pjekurisë së kombit tonë. Kjo vlerë e shtuar në imazhin e Shqipërisë përbën një shembull të rrallë në Europë e në botë.   Duke ndarë të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, Imzot Ramiro Moliner Ingles, theksoi se:
Harmonia fetare në Shqipëri më ka bërë një përshtypje të veçantë. Unë jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin ndërfetar që po shoh në vendin tuaj dhe kjo është vërtet një vlerë e madhe, shenjë e civilizimit.   Imzot Ramiro Moliner Ingles, i përcolli Kryetares së Kuvendit mesazhin dhe urimin nga Papa Benedikti i  XVI, drejtuar popullit shqiptar për më shumë shpresë, harmoni dhe paqe.
 
 
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›