Kuvendi mblidhet në seancë plenare, në fokus diskutimet mbi problematikat e ngritura nga qytetarët

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur pasditen e sotme në seancën e radhës plenare, me fokus diskutimet mbi problematikat e ngritura nga qytetarët gjatë “javës së gjelbër”. Në qendër të debateve kanë qenë dy çështje me ndjeshmëri të lartë publike të ngritura nga deputeti socialist Erion Braçe: bllokimi i një investimi rrugor në kryeqytet për shkak të moszbatimit të kontratave nga nënkontraktorët e OST-së dhe ngërçi me skemën e re të kompensimit të pensioneve.
Shqetësimi i parë i ngritur nga deputeti lidhet me bllokimin e punimeve në një aks qendror në Njësinë nr. 5 (Selitë), i cili lidh zonën me Unazën e Madhe të Tiranës. Ndonëse rruga ka dy vite që ka nisur, përfundimi i saj ka mbetur peng i projektit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) për linjën ajrore dhe nëntokësore të qarkut të dyfishtë Tirana 2 – Rrashbull.
Braçe denoncoi braktisjen e punimeve nga dy kompani nënkontraktore që në muajin janar, duke bërë të pamundur respektimin e afatit të përfundimit të kontratës, i cili skadon më 9 mars 2026. Kjo zvarritje ka lënë rrugën të hapur, duke penalizuar rëndë komunitetin dhe veçanërisht nxënësit.
“Ajo që mua më shqetëson është që dy kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. […] Shqetësimi është shumë i madh, pasi në krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptani’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë,” u shpreh Braçe në foltoren e Kuvendit.
Një tjetër problematikë madhore e ngritur në seancë ishte zbatimi i vendimit të qeverisë për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, pjesë e paketës së Buxhetit 2026. Ky vendim, i cili synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme me shtesa nga 600 deri në 1800 lekë në muaj, ka lënë jashtë një numër të lartë përfituesish.
Sipas deputetit Braçe, pas dy muajsh nga hyrja në fuqi e skemës, rezulton se „rreth 81 mijë pensionistë nuk e kanë përfituar këtë kompensim, për shkak të mungesës së vetëm disa ditëve pune të paplotësuara në vjetërsinë e tyre“.
Ekonomi dënon dhunën në protestën e PD: Dëmton imazhin kombëtar
Gjatë seancës së sotme plenare, deputetja e PS, Milva Ekonomi, dënoi aktet e dhunës në protestën e 28 shkurtit të thirrur nga opozita, duke theksuar se ato cenojnë rëndë stabilitetin dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ekonomi u ndal veçanërisht te sulmi ndaj “Vilës 31” (ish-rezidenca e diktatorit), e cila tashmë shërben si një qendër arti, duke e cilësuar shkatërrimin e saj të papranueshëm. Teksa u bëri thirrje organizatorëve të distancohen nga dhuna, deputetja apeloi për rikthimin e debatit politik në rrugë institucionale, pasi qytetarët presin funksionim të shtetit dhe jo konflikte të fabrikuara.
Bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas, deputetja e PD, Alolli: Juglindja e izoluar, goditje për ekonominë
Izolimi i zonës juglindore të vendit pas shembjes në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas ka qenë në qendër të fjalës së deputetes së Partisë Demokratike, Ledina Alolli, gjatë seancës së sotme plenare. Ajo theksoi se bllokimi i kësaj arterie kryesore ka shkëputur qarkun e Korçës nga pjesa tjetër e vendit, duke sjellë pasoja të rënda për qytetarët.
Sipas ligjvënëses së opozitës, kjo ndërprerje u ka përmbysur normalitetin e jetës banorëve dhe bizneseve të disa bashkive.
“Në këto momente e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Kjo ka sjellë problematika të mëdha në ekonominë e banorëve të qarkut Korçë,” deklaroi Alolli nga foltorja e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, deputetja ngriti akuza se shembja e rrugës nuk është pasojë e faktorëve natyrorë, por e shkeljeve të rënda teknike dhe mungesës së standardeve në ndërtim, të cilat ajo i cilësoi si produkt të korrupsionit. Ajo paralajmëroi gjithashtu se devijimi i qarkullimit po rrit kostot e transportit për bizneset dhe po i shkakton humbje të konsiderueshme sektorit të turizmit në një moment kyç për ekonominë e rajonit.
Peleshi i përgjigjet opozitës: Rrugët nuk ndërtohen me fjalime
Shembja e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas ka shkaktuar replika të forta në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, teksa i është përgjigjur akuzave të deputetes demokrate Ledina Alolli për bllokimin e juglindjes, ka theksuar se zgjidhja e situatës në terren nuk varet nga retorika politike.
“Rrugët as nuk ndërtohen dhe as nuk riparohen me fjalime këtu,” u shpreh Peleshi nga drejtimi i seancës. Ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar ekipet e emergjencës dhe autoritetet që po punojnë pa ndërprerje prej 24 orësh. Sipas Kryeparlamentarit, falë këtij angazhimi intensiv dhe interesimit të deputetëve të të gjitha krahëve, rruga alternative pritet të hapet në një kohë shumë të shkurtër, duke tejkaluar kështu një ngjarje emergjente që, siç theksoi ai, “nuk varet as nga fjalimet e recitimet tuaja e as nga të miat”.
Bozdo denoncon gjendjen e infrastrukturës në Kuçovë: Rruga Goraj-Velagoshtë, e lënë në harresë që nga 2012
Infrastruktura rrugore në Bashkinë e Kuçovës dhe vështirësitë me të cilat përballen banorët për të marrë shërbimet bazë, kanë qenë në qendër të fjalës së deputetit të Partisë Demokratike, Enno Bozdo, gjatë seancës plenare të kësaj të hëne.
Në fjalën e tij, ligjvënësi i opozitës u ndal në mënyrë të veçantë te segmenti rrugor Goraj–Velagoshtë. Sipas Bozdos, ky aks ka mbetur i papërfunduar prej më shumë se një dekade, konkretisht që nga viti 2012, dhe nuk ka njohur asnjë investim apo përmirësim nga qeverisja qendrore apo lokale, pavarësisht premtimeve të dhëna ndër vite.
Gjendja e amortizuar e rrugës, sipas deputetit demokrat, po shkakton pasoja të rënda sociale për komunitetin. Ai theksoi se degradimi i aksit bën të pamundur kalimin e automjeteve të larta dhe izolon banorët, duke i penguar ata të kenë akses të shpejtë dhe të sigurt në shërbimet jetike, si ato arsimore dhe shëndetësore.
“Banorët kërkojnë shërbime minimale në nivel lokal, duke përfshirë rrugët që lidhin qendrën e bashkisë me njësitë administrative. Disa segmente, si rruga Goraj–Velagoshtë, janë në gjendje të mjerueshme dhe pamundësojnë jetën normale në zonë,” deklaroi Bozdo nga foltorja e Parlamentit.
Deputeti ngriti si shqetësim edhe mungesën e reagimit institucional. Ai vuri në dukje se banorët e zonës kanë dalë shpeshherë në protesta për të kërkuar të drejtat e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje të efektshme nga autoritetet lokale të Kuçovës.
Në përfundim të fjalës së tij, Bozdo kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve përgjegjëse për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi dhe për të garantuar një infrastrukturë të sigurt për qytetarët.
Deputetja Kushi: Fillon indeksimi i pagave për mbi 36 mijë arsimtarë, ja kush përfiton shtesën
Mësuesit dhe punonjësit e sistemit arsimor në të gjithë vendin do të përfitojnë një rritje dhe indeksim të pagave, i cili ka hyrë zyrtarisht në fuqi që nga 1 janari i këtij viti. Detajet financiare të këtij vendimi u bënë të ditura nga Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi, gjatë fjalës së saj në Kuvend.
Sipas sqarimit të Kushit, paketa e re financiare për arsimin ndahet në dy shtylla kryesore: një indeksim të përgjithshëm për të gjithë dhe një shtesë specifike për fashat e pagave të mesme.
Ndryshimet konkrete përfshijnë rritje me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit, pa përjashtim. Një rritje fikse prej 3,000 lekësh në muaj për të gjithë ata arsimtarë që aktualisht kanë një pagë nga 58,000 deri në 74,000 lekë.
Për kategorinë e dytë (që përfiton edhe indeksimin edhe shtesën fikse), rritja e përgjithshme e pagës arrin në nivelin 5.17%.
Nga zbatimi i këtij vendimi, sipas shifrave zyrtare, do të preken drejtpërdrejt 36,390 punonjës të sistemit arsimor në Shqipëri.
“Të dashur kolegë, ky nuk është vetëm një vendim me efekt financiar, por është edhe një mesazh për të gjithë ata që edukojnë brezin e ri, se në çdo rritje pagash, do të përfitojnë edhe ata,” deklaroi Kushi nga foltorja e Kuvendit.
Përtej rritjes financiare, Zv.kryetarja e Komisionit të Edukimit dha një lajm të rëndësishëm edhe për një kategori specifike mësuesish që kanë hasur pengesa burokratike në karrierën e tyre. Ajo paralajmëroi sjelljen e një nisme të re ligjore në Kuvend, e cila synon t’i japë zgjidhje përfundimtare shqetësimit të mësuesve që janë diplomuar dhe punësuar përpara nisjes së zbatimit të sistemit të Bolonjës në arsimin e lartë shqiptar.
Shehu kërkon deklaratë zyrtare pro-SHBA për Iranin dhe ngre alarmin për shqiptarët e bllokuar
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kërkuar sot në Kuvend që Shqipëria të dalë me një deklaratë unanime në mbështetje të plotë të sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër regjimit në Iran.
Gjatë fjalës së tij, Shehu ngriti një shqetësim emergjent për qytetarët shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar në kushte të rrezikshme në Lindjen e Mesme. Ai akuzoi qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme për heshtje dhe mosveprim në një kohë kur vendet evropiane kanë ngritur shtabet e emergjencës.
Duke theksuar thirrjet për ndihmë që ka marrë nga qytetarët, Shehu kërkoi angazhimin e menjëhershëm të shtetit për identifikimin dhe shpëtimin e shqiptarëve që ndodhen në rajonet e konfliktit.
Kaso për shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas: Akt korrupsioni, rritet bileta e autobusit dhe çmimi i bukës në Korçë
Pasojat zinxhir të bllokimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas kanë goditur drejtpërdrejt ekonominë e qytetarëve të juglindjes. Kështu ka denoncuar në seancën e sotme plenare deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i cili e cilësoi shembjen e rrugës si një “akt të pastër korrupsioni” të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas ligjvënësit të opozitës, faturën e këtij kolapsi po e paguajnë mbi 200 mijë banorë të qarkut të Korçës. Për shkak se kamionët dhe automjetet detyrohen të devijojnë 40 deri në 60 kilometra më shumë, kostot e transportit janë rritur ndjeshëm.
“Dje ishte rritur bileta e autobusit për në Tiranë, ndërkohë që sot është rritur edhe çmimi i bukës në Korçë”, deklaroi Kaso, duke akuzuar qeverinë se prej 12 vitesh i ka lënë banorët e këtij rajoni me premtime të pambajtura.
Luarasi dënon dhunën e opozitës: Molotovët te “Vila 31” largojnë turistët dhe dëmtojnë imazhin e vendit
Ndikimi i dhunës politike te turizmi dhe ekonomia e vendit ishte në fokus të fjalës së deputetes socialiste, Iris Luarasi, gjatë seancës së sotme plenare. Ajo dënoi ashpër incidentet gjatë protestës së fundit të opozitës, duke u ndalur specifikisht te sulmi me molotovë pranë “Vilës 31”, ngjarje që sipas saj rrezikoi jetën e 12 artistëve vendas dhe të huaj që ndodheshin brenda.
Luarasi theksoi se pamje të tilla të dhunshme, që bëjnë xhiron në mediat ndërkombëtare, krijojnë një perceptim të rremë pasigurie, duke bërë që shumë turistë të anulojnë pushimet në Shqipëri.
“Turizmi sigurisht që nuk e do flakën dhe dhunën. Nuk mund të kërkojmë nga Evropa të na hapë dyert kur dhuna bëhet kryeçelësi i opozitës,” deklaroi deputetja, duke e cilësuar tërësisht të papranueshëm edhe përdorimin e fëmijëve në akte të tilla.
Ajo nënvizoi se e drejta për të protestuar është legjitime, por shkatërrimi i pronës dhe cenimi i sigurisë rëndojnë drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve dhe biznesin e vogël.
vijon
/rtsh.al/