E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvendi miraton Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022

Kuvendi ka miratuar Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022. Akti Normativ është miratuar me 71 vota pro dhe 38 kundër. Në Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit thuhet se deri në fund të vitit do të mblidhen 576 miliardë e 831 milionë lekë, nga 546 miliardë e 811 milionë lekë që ishte parashikuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars të këtij viti. Pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me mbi 30 miliardë lekë.

Edhe totali i shpenzimeve të planifikuara është rritur nga 647 miliardë e 694 milionë lekë, në 660 miliardë e 694 milionë lekë duke pësuar një rritje prej 13 miliardë lekësh. Si pasojë e rritjes së të ardhurave në raport me shpenzimet Ministria e Financave ka rishikuar edhe nivelin e deficitit buxhetor, duke e ulur me mbi 17 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë lekë që ishte parashikuar në 83.8 miliardë lekë.

Në këtë Akt Normativ është rishikuar fondi i kontigjencës për paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës. Nga 6 miliardë lekë që ishte paketa e parë, në këtë akt normativ është parashikuar shtimi edhe me 6.1 miliardë lekë për këtë zë, duke e çuar në total 12.1 miliardë lekë.

Me këtë shtim të buxhetit i hapet rruga miratimit të paketës së dytë të Rezistencës Sociale. Në akt specifikohet se 1 miliardë e 670 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit. /rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›