Kriza energjetike/ Rama debat me opozitën: Ju s’jetoni me realitetin, nuk po marrim masa ekstreme

Kriza energjetike dhe paketa e dytë anti-krizë e prezantuar nga qeveria ka qenë në fokus të diskutimeve në Kuvend. Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit është fokusuar për t’i dhënë përgjigje opozitës, ku nuk kanë munguar edhe ironitë e tij. Sipas Ramës opozita nuk jeton me realitetin dhe se nuk e kupton që pavarësisht se çmimi i energjisë është rritur qeveria nuk po ndryshon çmimin për familjet dhe bizneset e vogla.
Rama sqaroi edhe një herë se do të paguajnë energjinë me çmimin tregut ata që harxhojnë më shumë se 800 kËh dhe që 96 % e familjeve shqiptare nuk e kalojnë fashën e vendosur.
“Qeveria ka vendosur të ndërtojë një qasje mbështetëse afatmesme, e cila prek rreth 1.2 milionë subjekte, pra individë përfshirë edhe biznese sepse ne besojmë që është shumë më e rëndësishme të garantojmë sigurinë në afatmesëm në vend që të ndjekim nga mbrapa krizën me paketa afatshkurtra. Sa i takon shpenzimit, është më i madh se bëhet fjalë për mbështetje për të qëndruar edhe përtej krizës. Më bëri përshtypje parafolësi se ngriti pyetjen Çfarë europiane ka sot kur rriten çmimet? Ku jetoni ju? Unë mendoj se banoni në një planet tjetër, emri i të cilit mbetet mister por nëse ka një gjë që po shqetëson botën dhe Europën është rritja e çmimeve. Shifrat e Eurostat tregojnë se Shqipëria e ka mbajtur inflacionin në një nivel që është më i ulëti në rajon. Kemi një sërë vendesh me inflacion 2shifror dhe nivel më të ulët se mesatarja e vendeve të BE sepse Shqipëria është i vetmi vend që ka vendosur të ndërmarrë një rrugë për të mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Piku i çmimit të energjisë me 10 gusht ishte 1040 euro/MGË ndërsa para krizës ishte 90 – 110 euro. Jemi 10 herë më lart”, tha Rama.
Rama pati përplasje edhe me deputetët e opozitës Helidon Bushati dhe Gazment Bardhi. Duke u thënë se ulërimat nuk janë argumente dhe se Shqipëria nuk po merr masa ekstrem për krinë energjetike si vendet e tjera të botës, Rama foli edhe për konfiskimin e ndërtimeve pa leje duke iu drejtuar opozitës se duhet të lexojnë më mirë këtë vendim dhe jo të zhyten gjithnjë e më poshtë.
“Për ndërtimet pa leje, jemi në një kohë kur këto janë shfaqjet e fundit të brutalitetit kapitalist, kur e kemi nisur ne punën, ndërtimet pa leje dhe pallatet me kate shtesë e godinat e shtuara ishin pa fund. Sot në Tiranë numri i tyre është i vogël por janë aty dhe se çfarë do të bëjmë, do e shihni ditët në vijim. Sikur të kishim mendtë tuaja, Shqipëria do ishte aty ku e latë. Ju po zhyteni poshtë e më poshtë. Ajo që do të ndodhë është së pari askush nuk do e çojë nëpër mend të bëjë metra katror shtesë dhe do kenë aq halle me ligjin sa do jetë e kotë të bëjë një gjë të tillë. Për këtë jemi këtu ne se po të ishin zgjidhur të gjitha, nuk do kishit nevojë për mua. Sa kohë duhen zgjidhur të gjitha, ju jeni aty për të krijuar për çdo zgjidhje një problem. Po të përsëris, nuk ka asnjë metër katror, asnjë kat apo zgjerim apo nën shtesë që nuk do i kthehet popullit shqiptar dhe jeni të lutur të na ndihmoni nëse keni informacion për më shumë por ju nuk dini të lexoni, kështu që me paratë që do të mblidhen nga çdo godinë apo metër katror, do hapim një kurs për t’ju mësuar leximin”, tha Rama.
/rtsh.al/