Kuvendi miraton një projektligj dhe disa projektrezoluta

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare, ku deputetët miratuan një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe vendimesh për ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Me 74 vota pro u miratua projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitetet e tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.
Deputetët miratuan gjithashtu me 74 vota pro projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025.
Me 74 vota pro u miratua edhe projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025.
Po me 74 vota pro u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025.
Me 73 vota pro u miratua edhe projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025.
Deputetët miratuan po me 73 vota pro projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025.
Ndërkohë, me 74 vota pro u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025.
Me 75 vota pro Kuvendi miratoi projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025.
Në vijim të seancës, me 73 vota pro u miratua caktimi i deputetit Gjin Gjoni si anëtar i Sekretariatit për Procedurat dhe Etikën.
Me 72 vota pro u miratua largimi i deputetes Marjana Koçeku nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale dhe emërimi i deputetit Onid Berberi në vend të saj.
Gjithashtu, me 74 vota pro u miratua largimi i deputetes Marjana Koçeku si sekretare dhe anëtare e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa në vend të saj u caktua deputetja Sara Mila.
Po ashtu, me 73 vota pro u miratua largimi i deputetes Marjana Koçeku si anëtare zëvendësuese e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ndërsa në vend të saj u emërua deputetja Ilva Gjuzi.
/gj.m/r.e/