Kuvendi nis punën me komisionet, PD në vështirësi pa PS
TIRANË - Ekonomia dhe Ligjet kanë qenë dy komisionet e para në Kuvend që kanë nisur nga puna, duke miratuar, jo vetëm agjendën e tyre të punës, por edhe aktet e para ligjore. Por, aktiviteti i tyre rrezikon të kthehet në nul, kjo për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për të bërë kuorumin e detyrueshëm për zhvillimin e punës në komisione. Kështu, të dy këto komisione kanë vijuar punën e tyre duke e konsideruar veten në mazhorancë, pavarësisht se deri tani nuk është bërë e ditur nga Kuvendi se sa do të jetë numri i anëtarëve të tyre. Megjithatë, edhe vetë mazhoranca është e vetëdijshme për një problem të tillë dhe vështirësitë që krijon mungesa e deputetëve socialistë në jetën parlamentare. Por, pavarësisht këtij ngërçi, kreu i komisioneve të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka deklaruar dje në fillim të mbledhjes se ky komision do të vijojë punën në këtë gjendje ku mungonin deputetët e opozitës dhe me kthimin e tyre do të bëhej dhe riorganizimi i tij. "Për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës jemi të detyruar që ta vazhdojmë aktivitetin tonë parlamentar në Komisionin e Ligjeve në këtë mënyrë, deri në kthimin e deputetëve të opozitës, ku dhe do të bëjmë riorganizimin e punës në këtë komision", - tha Rusmali. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, ka qenë më i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij drejtuar deputetëve të mazhorancës. Në fillim të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, Spaho u ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës, që të mos mungojnë asnjë mbledhje, pasi në të kundërt, nuk do të mund të plotësohej kuorumi i nevojshëm për diskutimin e drafteve.
Kërkesa
Mospërmbushjen e reformave, si rezultat i mungesës së opozitës, e ka paralajmëruar dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Ky i fundit deklaroi pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve se veçanërisht reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencën e opozitës, por edhe bashkëpunimin e kësaj të fundit. "Ne e kemi filluar punën pa prezencën e opozitës, ndërkohë që reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencë, jo vetëm bashkëpunim, por edhe kontribut real të opozitës, me qëllim që ajo të jetë reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Sigurisht, kur ata të jenë bashkë me ne në komision, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet si parlamentarë, por do të kërkojmë dhe të gjithë kontributin e ekzekutivit që reforma në drejtësi të ecë përpara", - tha dje Rusmali. Në këto kushte, kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kujtuar një draft të rëndësishëm, ai për gjykatat administrative, i kërkuar për miratim nga bizneset. "Ju jeni njohur me kërkesën insistuese të biznesit, që ky ligj të ecë përpara dhe ai është një ligj emblematik për bashkëpunimin me opozitën. Në atë ligj ne kemi marrë gjithçka që opozita ka pasur si pretendime substanciale për përmbajtjen e ligjit dhe është realisht keqardhje e madhe, që ai të flejë në sirtar dhe të mos miratohet në Parlament",- tha ai, duke ftuar opozitën që të behët pjesë e proceseve integruese përmes pjesëmarrjes së saj në Kuvend.
dt 22 shtator
Kuvendi, PD nuk formon dot shumicën në komisione
TIRANË - Pavarësisht se mundi të krijojë një mazhorancë të nevojshme për të formuar qeverinë, e djathta do ta ketë tepër të vështirë ta ushtrojë këtë mandat qeverisës. Kjo për shkak të numrave në Kuvend që imponoi 28 qershori, megjithëse edhe ata të kontestuara fuqishëm nga ana e opozitës, e cila ende nuk ka vendosur të zërë vendet e saj në këtë institucion ligjvënës. Pikërisht diferenca me vetëm 8 deputetë që mundi të sigurojë e djathta falë edhe bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, jo vetëm që nuk i garantojnë asaj shumicën e nevojshme për kalimin pa probleme të projektligjeve në seancë plenare, por në komisionet parlamentare, ku dhe zhvillohet debati i parë dhe teknik për çdo nismë ligjore, ajo do të gjendet në minorancë karshi opozitës.
Komisionet
Kthimi i mundshëm i opozitës në Kuvend pritet ta vërë në jo pak vështirësi mazhorancën e djathtë. Jo vetëm në seancat plenare mazhoranca do të detyrohet të kërkojë konsensusin e opozitës, sidomos në kalimin e ligjeve, që kërkojnë votë të cilësuar, por edhe në komisionet e përhershme parlamentare, ku opozita, falë raporteve të numrave me të cilat përfaqësohet, do të jetë shumicë. Në këtë mënyrë, 74 deputetët me të cilët shumica qeverisëse përfaqësohet në këtë legjislaturë, nuk i mjaftojnë asaj për të pasur shumicën në komisionet parlamentare, të cilët kanë një rol jo pak të rëndësishëm në veprimtarinë parlamentare. Kjo pasi të djathtët nuk mund ta kenë të gjithë këtë numër deputetësh të gatshëm për të qenë pjesë e komisioneve parlamentare. Është rregullorja e Kuvendit ajo që përcakton në nenin 20 të saj se anëtarët e Këshillit të Ministrave si dhe Kryeparlamentari nuk mund të bëhen pjesë e komisioneve parlamentare. Gjithashtu, në këtë nen sanksionohet edhe detyrimi se një deputet mund të jetë anëtar me të drejtë vote vetëm në një komision. Një nen i tillë bënë të mundur që mazhoranca, nga 74 deputetë që ka në sallën e Kuvendit, mund të përdorë për anëtarë komisionesh vetëm 58 prej tyre, pasi 15 prej tyre janë bërë ministra, ndërsa Jozefina Topalli Kryetare Parlamenti. Ndërkohë që opozita ka të sigurt plot 66 parlamentarë të gatshëm për t'i shpërndarë në të 8 komisionet kuvendore. Ky raport përfaqësimi bën të mundur që mazhoranca, pavarësisht se ka marrë krerët e 5 prej komisioneve, do të mund të diskutojë dhe të marrë vendime në to duke u gjendur në minorancë. Kjo duket se ka qenë edhe arsyeja pse Kuvendi publikoi një herë në faqen zyrtare në internet anëtarët e djathtë në çdo komision dhe brenda ditës u detyrua t'i heqë sërish ato, duke parë tashmë për një zgjidhje tjetër që mund të vijë duke krijuar mazhoranca të sforcuara në komisionet më të rëndësishëm, siç është ai i ligjeve dhe i ekonomisë, ku dhe kalojnë shumica e projektligjeve dhe për t'i lënë opozitës shumicën e theksuar në komisionet më pak të rëndësishme. Megjithatë, një zgjidhje tjetër mund të jetë edhe ajo për të bërë një ndryshim të detyruar në rregullore, ku të lejojë një deputet të jetë anëtar në më shumë se një komision.
Rregullorja
Megjithatë, shumica që mund të marrë opozita në komisione mund të ketë efekte të përkohshme në jetën parlamentare, pasi rregullorja e Kuvendit i ka siguruar mazhorancës edhe një mekanizëm shtesë, ku i lejon asaj që projektligjet që nuk marrin dot shumicën në to, të mund të kalojnë me votim në Parlament. Neni 34 thotë se vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit. Por në një nen më pas, rregullorja sanksionon se kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare. Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë. Por, megjithatë, një mekanizëm i tillë sjell detyrimisht ngadalësimin e punës së Kuvendit, ndaj mazhoranca do të përpiqet tashmë që të marrë konsensusin e opozitës që në fazën e komisioneve. Deri më tani, mazhoranca ka vendosur të drejtojë vetë Komisionin e Ligjeve me Ilir Rusmalin, Komisionin e Ekonomisë, me kryetar Edmond Spahon, Komisionin e Politikës së Jashtme, me kryetar Fatos Bejën, Komisionin e Sigurisë Kombëtare, me kryetar Leonard Demin dhe Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, me kryetar Jemin Gjanën. Ndërsa opozitës i është lënë drejtimi i Komisionit të Shëndetësisë dhe Punës, Komisioni i Medias dhe Komisioni Integrimit. Një ndarje kjo që pritet të shkaktojë debate, pasi balancimin e drejtimit të jetës kuvendore, PS-ja e ka përfshirë dhe në një nga pikat e paketës së saj të kushteve.
Neni 20
Anëtarësia në komisionet e përhershme
1. Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme.
2. Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Ai mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote.
Neni 38 Pika 6
Kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare. Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë.