E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi nis shqyrtimin e kërkesave të PS-së për hetimin e zgjedhjeve

03/03/2010 Konferenca e Kryetarëve ul opozitën në një tryezë me mazhorancën

Nismat e Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit dhe ndryshimet e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” do të shqyrtohen pas dy javëve, në seancën parlamentare të 18 marsit. Vendimi u mor nga Konferenca e Kryetarëve, e cila në prezencën edhe të kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, zgjati mbi dy orë. Në konferencë pati diskutime mbi procedurën, afatet e ngritjes së komisionit hetimor, për procedurën dhe afatet për kërkesën e shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në ligjin nr. 8891 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” dhe për përmbajtjen dhe përputhshmërinë ose jo me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Vetë kreu i kuvendorëve të PS-së ka këmbëngulur në miratimin fillimisht të amendamenteve të ligjit për komisionet hetimore dhe më pas Kuvendi të diskutojë për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, kërkesë e cila nuk ka gjetur mbështetjen e mazhorancës. “Z. Ruçi na çuditi me kërkesën për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Mazhoranca është dakord për të shqyrtuar nismën e PS-së për procedurën dhe jo për përmbajtjen”, tha pas mbledhjes kryetari i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi. Aspak optimist për zhvillimet në vijim u deklarua edhe kryetari i grupit kuvendor të PS-së, Ruçi, i cili la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së socialistëve në punimet e Kuvendit të 18 marsit. “Pavarësisht se çfarë u diskutua brenda, kjo më shumë se çështje procedurash është çështje e një vullneti politik për të shpalosur gjithë përgjegjësinë dhe seriozitetin tonë politik dhe organizativ. Ne sot ishim të pranishëm në tryezën e Konferencës së Kryetarëve, për të diskutuar rreth procedurave. Për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë, nuk dëgjuam ndonjë preokupim për ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës, përkundrazi”, tha Ruçi pas mbledhjes. Nëse opozita do të jetë ose jo në seancën kur këto dy nisma do të diskutohen, ai kërkoi që çështja të mos paragjykohet. “Do të vazhdojmë të bëjmë apel që këto nisma janë kërkesë e domosdoshme për zgjidhjen e krizës politike dhe një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Nëse do të ndodhë e kundërta, ky do të jetë lajmi më i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundoi ai.

Projekti

PS ka propozuar ndryshimin e 4 neneve të ligjit për komisionet hetimore. Më i rëndësishmi është ndryshimi i nenit 17, ku propozohet që në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e komisionerëve mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive duke kryer rinumërimin e tyre.

Prezenca e Ruçit

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në hapje të mbledhjes uroi Gramoz Ruçin për zgjedhjen si kryetar i grupit parlamentar të PS-së. “Mbledhja është e bazuar ne Kushtetutë dhe qëllimi i saj është diskutimi i kërkesës së socialistëve për zgjedhjet. Pra, le të diskutojmë kërkesën për Komisionin Hetimor për zgjedhjet”, ftoi Topalli të pranishmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›