E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi-seanca e pare, feste për deputetët e rinj

Nuk dihet nëse në seancën e parë të së hënës, do të jenë të pranishëm apo jo deputetët e PS-së, kjo nuk i ka penguar punonjësit e kësaj administrate që të mendojnë për çdo detaj. Betimi i deputeteve, te enjten 

TIRANE-Seanca e parë e legjislaturës së 18-të të Kuvendit pritet të jetë një ceremoni festive, më shumë se sa një mbledhje serioze e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Të paktën këtë po mundohet të organizojë administrata e Kuvendit, e drejtuar ende nga Jozefina Topalli. Megjithëse nuk dihet nëse në seancën e parë që do të hapet në orën 18.00 të së hënës, do të jenë të pranishëm apo jo deputetët e PS-së, kjo nuk i ka penguar punonjësit e kësaj administrate që të mendojnë për çdo detaj, që nga lulet, flamujt e shumtë; ata kombëtarë dhe të NATO-s e BE-së, të cilët do të vendosen si brenda ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit. Seanca e parë, sipas rregullit do të hapet nga deputeti më i vjetër, dhe këtë herë kjo i takon kryeministrit Sali Berisha, por ai ka preferuar që këtë t’ia lërë një tjetri pas tij. Nëse në seancën e parë nuk do të shkojë PS-ja, ashtu siç edhe ka vendosur, në vend të Et’hem Rukës që i bie të jetë më i vjetri, do të jetë Fatos Beja që do të çelë seancën e parë në 7 shtator. Ashtu siç edhe ka ndodhur zakonisht, tingujt e himnit kombëtar do të shoqërojnë këtë ceremoni festive të Parlamentit të ri. Në seancën e ditës së hënë, që sipas burimeve do të jetë tepër e shkurtër, pritet që të krijohet sekretariati ndihmës, i përbërë nga 3 deputetët më të rinj të Kuvendit. Ata do të jetë pjesa mbështetëse e kryetarit, që do të drejtojë vetëm për të hënën dhe të enjten e javës që vjen seancat, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Po të hënën pritet të ngrihet edhe komisioni i verifikimit të mandateve, i përbërë prej 9 deputetësh nga maxhoranca dhe opozita. Kështu, sipas burimeve, edhe betimi i deputetëve do të mund të bëhet ditën e enjte, dhe jo qysh në seancën e parë të Kuvendit, pasi më parë do të duhet të verifikohen të gjitha mandatet e deputetëve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›