E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solis: Bojkoti i PS i gabuar, PBDNJ-ja në Kuvend

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis theksoi se “ kriza e Ramës është kthyer në krizë partiake dhe këtë krizë do ta bëjë edhe krizë institucionale me pasoja për vendin”. 

TIRANË - Sekretari i Përgjithshëm i Partisë për të Drejtat e Njeriut Leonard Solis është shprehur sot për mediat në lidhje me vendimin e djeshëm të PS-së për të bojkotuar Kuvendin si “ një vendim i gabuar dhe kjo tregon se Rama është në krizë personale”
Ai theksoi se “ kriza e Ramës është kthyer në krizë partiake dhe këtë krizë do ta bëjë edhe krizë institucionale me pasoja për vendin”.
Solis bëri me dije se “PBDNJ do të jetë në Kuvend nesër gjatë hapjes së punimeve të tij për këtë legjislaturë”.
Në lidhje me ftesën e Kryeministrit Berisha për koalicion në qeverisje, Solis tha se “ kjo çështje është në diskutim e sipër” , ndërsa për Kongresin e ardhshëm të PBDNJ-së bëri me dije, se do të mblidhet në fund të muajit shtator pas formimit të qeverisë.
PDBNJ hyri në zgjedhjet e 28 Qershorit në koalicion me Partinë Socialiste, si rrjedhim i një marrëveshjeje parazgjedhore. Nga këto zgjedhje PBDNJ ka mundur të marrë një mandat deputeti , të përfaqësuar nga Kryetari i saj Vangjel Dule.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›