Kuvendi shqyrton kodet me 3/5, në interpelancë Olldashi

Parlamenti shqiptar në seancën e radhës pritet të shqyrtojë disa Kode, për miratimin e të cilëve nevojiten 84 vota, ose siç njihet 3/5 e votave të deputetëve. Seanca ka si rend dite projektligje si projektligj “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë` të ndryshuar”, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për rregjistrin themeltar të gjendjes civile në Shqipëri” si dhe projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.
Në këtë seancë ka edhe disa shtesa dhe ndryshime nenesh në Kodin Civil të vitit 1994, në Kodin Penal të vitit 1995, në Kodin Rrugor të vitit 1998, në Kodin Detar të vitit 2004, në Kodin Hekurudhor po të vitit 2004 dhe në Kodin Ajror të vitit 2008 në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet nuk mund të miratohen pa bashkimin e votave të opozitës me shumicën parlamentare.
Në rendin e ditës është edhe ligji mbi transmetimet radio-televizive si dhe një Interpelancë me Ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve kërkuar nga deputeti Erjon Braçe.
Nga ana tjetër Partia Socialiste ka dërguar për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërise edhe kërkesën për uljen e TVSH-së tek ushqimet.
Ndërkohë kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar më herët se opozita nuk do t`i miratojë ligjet me 3/5 pa u marrë parasysh më parë paketa prej 10 pikash.