E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi vendos nesër për PTK-në

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vazhdimin e seancës së 12 shtatorit, nesër ( e enjte) do ta kenë sërish në rend të ditës votimin e Raportit të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Seanca e 12 shtatorit ishte ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje! e patëm lëshuar seancën në shenjë pakënaqësie ndaj Raportit të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë se Kuvendit të Kosovës, të hënën përfaqësuesit e tri grupeve parlamentare opozitare kanë mbajtur qëndrim që gjithë procesi i privatizimit të PTK-së ka qenë kundërligjor dhe se çështja nuk duhet shtruar fare në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje edhe sot nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se privatizimi i PTK-së është i jashtëligjshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vërejtjen disa herë se ky proces i privatizimit, jo vetëm të PTK-së, motoja e të cilit është “Shit sa më shpejtë dhe sa më lirë” është në dëm të interesit të vendit dhe për interes të qeveritarëve të korruptuar, të cilët ashtu si po e japin territorin, po na e shesin edhe pasurinë publike. Për më tepër, e kemi ekspozuar edhe “blerësin” e PTK-së, kompaninë “Axos”, e cila rezultoi të jetë një fond investiv i dyshimtë, i cili as për së afërmi nuk i përmbush kushtet themelore për t’u kualifikuar në këtë proces dhe pa dëshmi të prejardhjes së parave për blerjen e PTK-së”, ka bërë të ditur VV-ja. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›