Kuvendi voton heqjen e imunitetit për tre deputetët socialistë
Kuvendi ka votuar pas dëgjimit të shpjegimeve të tre deputetëve socialistë, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare, heqjen e imunitetit të tyre.
Për heqjen e imunitetit të deputetit Taulant Balla votuan pro 118 deputetë, 8 deputetë votuan kundër, ndërsa 2 deputetë abstenuan. Kuvendi votoi me 116 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime për heqjen e imunitetit të deputetit Tom Doshi, dhe 107 vota pro, 19 kundra dhe 3 abstenime për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Besnik Bare.
Në fjalën e tyre në seancën plenare të Kuvendit të tre deputetët theksuan se do të jenë në dispozicion të organit të akuzës në kuadër të vijimit të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit.
Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të tyre, duke qenë se ka dyshime për akuzën e organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme.