E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton sot për shembjen e Piramidës

TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën plenare të ditës së sotme pa praninë e opizitës. Në seancën e sotme pritet të diskutohen dhe miratohen disa projektligje, ku spikat projektligji për kompleksin e ri parlamentar dhe ai për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2011.

Projektligji me 9 nene që pritet të miratohet sot, ka kaluar në pronësi të Kuvendit Piramidën, ndërsa vendos që prokurimi do të bëhet po nga Kuvendi, ndërsa prishja e Piramidës do të bëhet nga Inspektorati i Ndërtimit. Leja e ndërtimi do të jepet nga KRRTRSH-ja, dhe jo nga organet e Bashkisë dhe për më tepër kjo e fundit nuk do të marrë as taksën e ndikimit në infrastrukturë apo taksën për lejen e ndërtimit.

Projekti ende nuk ka një kosto përfundimtare dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga vetë deputetët e PD-së në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Qeveria shqiptare po negocion me Arabinë Saudite për të siguruar grantin prej 100 milionë eurosh, por që ende nuk ka një kosto përfundimtare në lidhje me këtë projekt.

Kostoja e tij do të vendoset nga tenderi i hapur, ku kompania që do të ofrojë më pak për ta ndërtuar, do të fitojë të drejtën e ndërtimit. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje nga Arabia Saudite në lidhje me këtë fond.

Godina e re do të ndërtohet mbi Piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012. Inspektorati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë Piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do të kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik. Tenderi do të zhvillohet nga Kuvendi dhe procedurat e tij do të bazohen në Ligjin për prokurimin publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›