Kuzhe: Grumbullimi ishte një sukses, të rinjtë nëv objektiv
Trajneri kroat i kuqezinjve tregon projektet e tij për vitin 2011. Skuadra do të bazohet edhe njëherë të garda e vjetër, por nuk përjashtohen inkuadrimet e elementit të ri nga ndeshja në ndeshje
Josip Kuzhe ka një lidhje të fortë me Shqipërinë. Trajneri kroat që zuri vendin e Ari Hanit, ka ditur menjëherë të fitojë zemrat e tifozëve shqiptarë. Disa rezultate pozitive në takimet miqësore, që e kanë zgjatur korsinë pa humbje në 8 ndeshje, e kanë afruar edhe më Kuzhenë me një tifozëri që gjithnjë ka në plan të parë kualifikimet. Megjithatë, biseda me teknikun kroat nis nga shëndeti i tij, pas pak muaj më parë ai vuajti nga një hemoragji cerebrale, por teksa flet sot, duket vërtet në formë. “Shumë njerëz më pyesin si je me shëndetin dhe pas 4 muajsh e ndjej veten shumë mirë, pasi kam patur një trajtim të shkëlqyer këtu në Shqipëri. Unë kam simpati për të gjithë ata që më mbështetën në ato çaste të vështira.” Këto janë fjalët e para të Kuzhesë për vitin 2011, dhënë televizionit Klan. Ai i është rikthyer punës vrullshëm duke zhvilluar edhe një stërvitje disaditore me rreth 60 të rinj të grumbulluar në Zvicër. Grumbullimi kishte për synim evidentimin e lojtarëve të aftë për të trashëguar një fanellë kuqezi nga garda e vjetër. Kuzhe, e etiketon grumbullimin si të suksesshëm. “Ishte një sukses për mendimin tim duke nisur që nga organizmi i bërë nga Federata, e cila po bën thirrje të gjithëve të afrohen në këto grumbullime, siç ndodh edhe në Greqi apo Itali. Aty pashë elementë të vlefshëm tani për tani për ekipet zinxhir, por që kanë prespektivë për të ardhmen pasi janë shumë të disiplinuar dhe të vendosur”
Duket se në të vërtetë, Kuzhe nuk ka qenë shumë i bindur për ndonjë element që të meritojë fanellën e titullarit, por beson se shumë prej tyre duhet të përfshihen patjetër në skuadrat zinxhir, pasi me disa dëmtime, alternativat cilësore në përfaqësueses kuqezi mungojnë. Megjithatë, Kuzhe përqëndrohet te derbi ballkanik me Slloveninë. “Për këtë takim nuk kemi lojtarë si Curri apo Skela. Ervini po kalon një periudhë të vështirë pasi nuk po gjen një ekip, por kam besimin se në të ardhmen do të rinisë të luajë dhe do të jetë pjesë e Kombëtares. Unë miqësoren me Slloveninë e vlerësoj si një pjesë të 6 ndeshjeve zyrtare që kemi më pas. Nuk do të bëj eksperimente, pra do të ketë lojtarë me përvojë si Duro dhe Bogdani, pasi ka rëndësi edhe rezultati. Kjo nuk do të thotë që gjatë 2011 nuk do të afrojmë të rinj për të punuar paralelisht edhe për të ardhmen,” ka deklaruar Kuzhe, që më pas e mbyll me nota optimizmi deklaratën e tij: “Mendonjse një ditë edhe tifozët shqiptarë do t’i gëzohen finaleve të një Europiani ose Botërori.”
8 miqësoret e Kuzhesë
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e V. 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Andorrë 1-0
Shqipëri-Uzbekistan 1-0
Shqipëri-Maqedoni 0-0
Bilanci:
8 ndeshje; 5 fitore, 3 barazime