E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: “Ja pse nuk e thirra Kapllanin”Trajneri i Kombëtares argumenton mosthirrjen e sulmuesve Berisha e Kapllani. “Qipro është një ekip i mirë, kam parë DVD-të e ndeshjeve të tyre”

Josip Kuzhe është nga raca e atyre që i kanë gjithmonë argumentet e forta për të gjitha vendimet që marrin. Kroati është i drejtpërdrejtë dhe sinqeriteti më të cilin ai flet, të detyron të besosh se e drejta dhe e vërteta është nga ana e tij. Trajneri i Kombëtares la jashtë sulmuesin e Augsburgut, Edmond Kapllanin, por edhe atë të Arminian Bielfeldit, Besart Berishën, duke preferuar vetëm Erjon Bogdanin (Kievo, Itali) dhe Hamdi Salihin, (Ried, Austri), në listën prej 20-lojtarësh të thirrur për ndeshjen kundër Qipros (12 gusht): “Kjo nuk do të thotë aspak se Kapllani e Berisha nuk do të jenë kundër Danimarkës e Suedisë, dy ndeshjet e fundit tona në kualifikueset e Botërorit. Unë fola me Kapllanin dje (të mërkurën) në telefon dhe ia sqarova atij pse nuk e thirra, përpara se lista të publikohej zyrtarisht”, - sqaron Kuzhe.

 “Ia argumentova pse nuk e thirra. I thashë se dhe për të është më e arsyeshme të mos jetë në këtë miqësore, kur mund të ishte në stol, sesa të vinte dhe të qëndronte në bankinë. Tentova të flisja edhe me Lalën e Berishën, por nuk arrita, të paktën deri tani (ora 11:00). Unë do të jem në Gjermani, pas përfundimit të Superkupës në Shqipëri (Tirana-Flamurtari), që përkon edhe me javën e tretë të Bundesligës, e atje do të takoj Lalën, Kapllanin, Hykën e Berishën e do të bisedoj gjatë më ta edhe për projektin tim për eliminatoret e Europianit”.

* * *

Zoti Kuzhe, ndeshja e fundit juaja me Shqipërinë ishte miqësorja me Gjeorgjinë (1-1), ndërkohë që pas disa ditësh vjen testi me Qipron (12 gusht). Tashmë, kanë kaluar gati dy muaj pas takimeve me Portugalinë (1-2) dhe Gjeorgjinë, dhe emocionet e vlerësimet janë më të ftohta. Cili është vlerësimi juaj?
Kam qenë edhe dy herë të tjera në Shqipëri. Nuk kam qenë absolutisht i shkëputur nga futbolli. Pas Gjeorgjisë, edhe pse u largova, nuk kam qëndruar duarkryq, hartova disa programe për aktivitetin e Kombëtares, në bashkëpunim edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Duhet ta përsëris se ruaj të njëjtën mendim, se Shqipëria ka potenciale në futboll, pavarësisht se një nga detyrat e mia është të gjej figura të fuqishme, lojtarë të rinj. Kam verifikuar, kam zbuluar dhe kam skeduar disa. 

Pas pak ditësh do të luajmë kundër Qipros. E dini, se në tri ndeshjet e mëparshme kundër tyre, nuk kemi mundur të fitojmë asnjëherë, por jemi mundur dy herë në Qipro e kemi barazuar në Tiranë?Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Ashtu? Atëherë qenka radha ime të fitoj (qesh)... Më duhet kjo fitore, pasi në dy ndeshjet e para të miat, humba me Portugalinë (në minutën e fundit shtesë) dhe barazova me Gjeorgjinë. Shikoni, së pari, unë nuk i shoh gjërat ndeshje pas ndeshjeje, por brenda një programi e strategjie të caktuar. Kam bërë një program njëvjeçar me federatën (FSHF-në), ku më shumti përfshihen përgatitjet për kualifikueset e radhës (Europiani 2012). Unë e mora Kombëtaren, në një situatë pak të çuditshme, pasi nuk kishte më asnjë mundësi për të shkuar në Afrikën e Jugut, në Botëror.

Një objektiv patjetër që ka apo jo?
Sigurisht, ndeshja kundër Qipros më vlen shumë për ndeshjet zyrtare kundër Danimarkës e Suedisë, që dhe këto janë pjesë e programit për kualifikueset e Europanit, që fillojnë në gusht të vitit të ardhshëm apo shtator (2010).  Është e natyrshme që rezultati është i rëndësishëm, por unë e bazoj programin në tri pika: të bëj një ekip, jo të bëj shumë eksperimente, pasi brenda një viti duhet të kemi ekipin. Së dyti, edhe më e rëndësishmja është të përcaktojmë modulin e lojës sonë, taktikën tonë, por dhe lojtarët bazë që do ta interpretojnë atë. Së treti, krijimi i atmosferës në ekip, në marrëdhëniet me tifozët, por dhe me median.

A keni ndonjë informacion për Qipron?
Kam parë disa DVD-i të ndeshjeve të Qipros. Luajnë shumë mirë, kanë profil loje, por dhe ata si ne kanë qenë të pafat në rezultatet e tyre. Kanë vetëm 5 pikë në 6 ndeshje (Shqipëria 6 pikë, në 7 ndeshje).

Në listën e lojtarëve kundër Qipros pati dhe disa mungesa që bien në sy.
Kam dashur të kem një listë mikse, apo të atyre që kam pasur më shumë nevojë. Nuk thirra 18 por 20 lojtarë, pasi u ruhem edhe ndonjë dëmtimi të mundshëm. Sigurisht, bazën e bëjnë lojtarët me eksperiencë, por dhe nga ata që janë të rinj e me të ardhme. Nëse kundër Gjeorgjisë u përpoqëm të luanim me lojtarët e rinj, kundër Qipros do ta vendosim theksin dhe te rezultati. Ka ndonjë emër të ri, siç një lojtar i Flamurtarit, Veliu. E pashë, atë kur luante me U-21 (kundër Gjeorgjisë U-21), është i fuqishëm. E thirra për të kuptuar nëse ai është gati të luajë, apo duhet të jetë edhe për ca kohë te U-21.

Mungon Kapllani...Unë fola me Kapllanin (të mërkurën) në telefon dhe ia sqarova atij pse nuk e thirra, përpara se lista të publikohej zyrtarisht”. Ia argumentova pse nuk e thirra. I thashë se dhe për të është më e arsyeshme të mos jetë në këtë miqësore, kur mund të ishte në stol, sesa të vinte dhe të qëndronte në bankinë. Kjo nuk do të thotë aspak se Kapllani e Berisha nuk do të jenë kundër Danimarkës e Suedisë, dy ndeshjet e fundit tona në kualifikueset e Botërorit. Do të jetë aty. Kundër Qipros mund t’i jap më shumë hapësirë në ndeshjen kundër Qipros, ndoshta Hykës, Bakajt.

Berisha?
Tentova të flisja edhe me Lalën, se dhe ai nuk është thirrur e Berishën, por nuk arrita, të paktën deri tani (ora 11:00). Unë do të jem në Gjermani, pas përfundimit të Superkupës në Shqipëri (Tirana-Flamurtari), që përkon edhe me javën e tretë të Bundesligës, e atje do të takoj Lalën, Kapllanin, Hykën e Berishën e do të bisedoj gjatë më ta edhe për projektin tim për eliminatoret e Europianit.

Sulmi?
Do të jetë Bogdani e Salihi, por unë i shoh si gjysmësulmues edhe Skelën apo Bakajn, por dhe Duro e Hyka kanë karakteristika të pastërta sulmuesi. Besoj se kemi një situatë të mirë për sulmin, pasi dhe Salihi e ka nisur me gol kampionatin, madje kundër Salzburgut. E dini, se Salihin e kërkon me forcë Rapidi. Shpresoj shumë te Salihi, është shumë më i mirë se një vit më parë besoj. 

Mbrojtja ende nuk e ka gjetur qendërsulmuesin natyral. A keni gjetur ndonjë opsion?
Edhe mua më vjen keq, që të detyrohem të spostoj ndonjëherë Canën aty, duke dobësuar mesfushën, por jam i detyruar.

Disa nga lojtarët e Kombëtares, si Lorik Cana në Angli, Ansi Agolli në Ukrainë me Krivbasin, Klodian Duro në Qipro te Apolon Limasol, Besart Berisha te Arminia, Edmond Kapllani te Augsburgu, apo dhe të tjerë si Gilman Lika, Samir Ujkani dhe Emiljano Vila ndryshuan ekip. Si i shikoni lëvizjet e tyre?

Ok. I shoh me të vërtetë të mira. Për Canën jam shumë i lumtur, pasi e kishte prej kohësh objektivin të luante në Premiership, në Angli. Kjo është një gjë e madhe për Canën dhe për futbollin shqiptar të ketë një përfaqësues të tij në kampionatin më të fortë në botë. Dhe për mua personalisht është një sukses i madh të kem nën urdhra një lojtar që luan në Premier Ligë. Jam i lumtur edhe për Agollin, pasi Ukraina ka kampionat të mirë dhe nivel të lartë profesional. Besoj se do të jetë i suksesshëm me Krivbasin. Berisha, për mendimin tim, bëri një hap prapa në karrierë. Ishte në Angli, më pas shkoi në Danimarkë. E dini është një diferencë e madhe. Dhe lëvizjen e Likës e Ujkanit i shoh pozitive, do të kenë më shumë mundësi për t’u luajtur. Vila, gjithashtu me Lokomotivën e Zagrebit. Besoj se vitin e ardhshëm Vila do të luajë me Dinamon e Zagrebit.

Ju ndoqët në Lojërat Medhetare “Pescara 2009” dy ndeshjet e Kombëtares U-20 shqiptare, fatkeqësisht të humbura të dyja, si me Tunizinë ashtu dhe me Spanjën.
Jo vetëm aty, por ndoqa edhe tri ndeshje të ekipeve shqiptare në kualifikueset, si të Ligës së Kampioneve ashtu dhe në ato të Ligës së Europës. Në të vërtetë, edhe pse Shqipëria humbi me Kombëtaren U-20, pata disa përshtypje pozitive. Shqipëria nuk arriti rezultate të mira, por nuk askush nuk mund të priste një rezultat pozitiv me Spanjën, pasi është një nga ekipet më të mira në botë për atë moshë. Për mendimin tim, Spanja nuk dukej sikur luante me një ekip U-20, por me një U-25 (qesh). Kundër Tunizisë, Shqipëria bëri gjëra të bukura, por dua të theksoj se nuk ishte me fat atë ditë. Gjithsesi, detyra ime ishte të shihja lojtarë, që në të ardhmen mund të ishin kandidatë për ekipin që drejtoj unë.

A gjetët ndonjë lojtar interesant?
Në fakt, unë isha kurioz të shihja se çfarë potencialesh kishte Shqipëria U-20. Besoj se gjeta disa që ia vlejnë në një të ardhme të afërt. Fola shumë herë me trajnerin Bushati, diskutuam e analizuam shumë gjëra. Mblodha shumë informacione të dobishme.

Thatë se patë tri ndeshje ndërkombëtare të ekipeve shqiptare: Dinamo-Lahti (2-0), Flamurtari-Madhëruell (1-0) dhe Tirana-Stabek (1-1). Dy të parat fituan, ndërkohë që e fundit barazoi. Por, asnjëra prej tyre nuk arriti të kualifikohej për në raundin tjetër, pasi që të tria pësuan humbje të thella në transfertë (respektivisht: 4-0, Dinamo; 8-1, Flamurtari dhe 4-0, Tirana). Cili është mendimi juaj?
Ndeshja e parë që ndoqa ishte Dinamo-Lahti. Mund të them se Dinamo ishte e pafat, pasi kishte humbur ndeshjen e parë 4-0. Fitoi në Tiranë 2-0 dhe për mua ishte rezultat i madh. Tirana-Stabek? Tirana nuk shënoi më shumë se një gol. Sipas mendimit tim, nuk ishte e organizuar mirë dhe ishte e pafuqishme në sulm. Nuk e mendoja se ajo do të humbiste ndeshjen e kthimit 4-0. OK, Stabeku, tregoi se kishte më shumë eksperiencë. E kuptova që ndeshjen e parë se loja sulmuese e Tiranës nuk ishte në lartësinë e duhur, i mungonin titullarët që kisha parë më kampionat.

Flamurtari?
Edhe Flamurtari bëri një ndeshje të shkëlqyer kundër Madhëruellit. Me të vërtetë u kënaqa, klub i organizuar mirë, atmosferë e bukur, por jam zhgënjyer më të vërtetë shumë kur mësova se humbën ndeshjen e kthimit 8-1. Fola të nesërmen e asaj ndeshje Denisin, menaxherin e ekipit Kombëtar, për të mësuar diçka më shumë. Gjithë natën më mbeti në mëndje ai rezultat, pasi ndeshjen e parë Flamurtari më kënaqi shumë, lojtarë të mirë, klub i këndshëm. Isha më të vërtetë i lumtur, por besoj se në ndeshjen e kthimit, ka vendosur eksperienca e skocezëve, por besoj se Flamurtari është një ekip me të ardhme.

Me Dinamon, Tiranën e Flamurtarin, luajtën disa lojtarë të Kombëtares suaj dhe asaj U-21. Cili është opinioni juaj, si i patë ata?
Kjo ishte dhe arsyeja që i ndoqa. Sigurisht, disa lojtarë luajtën mirë, me disa të tjerë mbeta i pakënaqur, por nuk është rasti të përmend emra.


E Enjte, 06 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›