Kuzhe: Mali i Zi, test force për ne
Kur vetëm 24 orë na ndajnë nga ndeshja e të martës në Podgoricë kundër Malit të Zi, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, është shprehur i kënaqur me gjendjen e skuadrës dhe me mënyrën se si po përgatitet ky ekip për eliminatoret e radhës të Europianit 2012.
Pasi ka kaluar një vit në pankinën e kombëtares shqiptare, tekniku theksoi se ka besim te grupi aktual i futbollistëve që ka grumbulluar për miqësoren me Malin e Zi, duke deklaruar se ata do të jenë baza edhe për eliminatoret e ardhshme. Megjithatë, tekniku kroat thotë se ka nën vëzhgim edhe lojtarë të tjerë, por pa përmendur emra, ndërsa është në pritje të rikthimit të Altin Lalës. Kroati i stolit kuqezi ka rrëfyer se ka pasur momente të mira dhe të këqija në aventurën e tij me skuadrën tonë, por është i lumtur që punon me përfaqësuesen shqiptare. "çdo trajner e mbështet punën e tij në dy aspekte: atë emocional dhe atë profesional. Sa i përket atij emocional unë jam i lumtur që ndodhem në Shqipëri. Ndërkohë që në aspektin profesional kam pasur momente të mira dhe të këqija, si humbja me Suedinë. Gjithsesi, unë jam optimist për të ardhmen, por kemi dhe projekte afatgjata si integrimi i lojtarëve të rinj në skuadër", theksoi Kuzhe. Në lidhje me planet për të ardhmen e Kombëtares në eliminatoret e Euro 2012, 57-vjeçari insiston se do të ruajë grupin e lojtarëve aktualë, ndërkohë që nuk e mbyll derën për talentet e reja. “Unë kam besim te ky grup dhe ai do të jetë baza edhe për ndeshjet kualifikuese, pra në 14 muajt e ardhshëm, tha Kuzhe. Por, sigurisht që në bashkëpunim edhe me kombëtaren unë kam në plan të marr edhe futbollistë të tjerë që luajnë në Europë apo të shoh me vëmendje edhe ata të kampionatit”.
Sipas trajnerit të kombëtares sonë do të jetë një provë shumë e mirë për përfaqësuesen tonë, pasi është përzgjedhur enkas, pasi loja e kundërshtarit të të martës, ngjan shumë me atë të rivalit tonë në grup, Rumanisë. “Ky do të jetë një test i fortë për kuqezinjtë, pasi Mali i Zi është një skuadër e një niveli të mirë dhe mbi të gjitha ka karakteristika të ngjashme me Rumaninë”, sqaroi Kuzhe.
Trajneri kroat ka deklaruar se ka shumë mundësi, që përfaqësuesja jonë të luajë në këtë ndeshje me dy sulmues, pasi forma e lojtarëve tanë të repartit të avancuar është e mirë, si e Bogdanit ashtu edhe e Salihit. "Në ndeshjet e fundit kam luajtur vetëm me një sulmues Salihin, por duke parë formën e tij, po mendoj që në këto dy ndeshje të luaj me dy sulmues”, ka zbuluar ai. Ndërkohë, mungesa e Lalës në mesfushë mund të sjellë pak probleme, por gjithsesi, Cana, i cili mund ta zëvendësojë, do të vazhdojë të luajë në qendër të mbrojtjes ashtu si ka bërë deri tani. Rreziku numër 1 për Shqipërinë në miqësoren me Malin e Zi është sulmuesi i Romës, Mirko Vuçiniç, një futbollist tepër i rrezikshëm, por Kuzhe thotë se nuk do të ketë një mbulim të veçantë ndaj tij. “Mendoj se të mbulosh tek për tek Vuçiniç nuk është e lehtë, kështu që unë do të kërkoj të krijojmë një zonë kompakte rreth tij, në mënyrë që herë pas here të ketë afër dy futbollistë”, u shpreh kroati.
#