Itali-Shqipëri është debutimi i kombëtares shqiptare të regbisë
Po afron dita e debutimit të skuadrës kombëtare shqiptare të regbisë. Kjo ndeshje e prezantimit të parë të kombëtares shqiptare, është parashikuar të zhvillohet në datën 12 qershor në orën 18:00. Kombëtarja jonë në këtë ndeshje prezantuese do të përballet me një seleksion të më të mirëve të lojtarë të Italisë verilindore, të quajtur “Dozhët”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e regbisë së qytetit Pordenone, në rajonin Friuli Venezia Giulia. Në datat 14 dhe 15 do të jenë takimet e radhës për përfaqësuesen tonë, drejtimi i së cilës i është besuar tre teknikëve të njohur italianë të regbisë, më i njohuri prej tyre është Valter Kristofoleto, ish-teknik i kombëtares italiane të këtij sporti. Sportistët e përfshirë në këtë skuadër janë 26 dhe janë të gjithë lojtarë që luajnë në kampionatin italian, duke filluar nga kategoria superiore e quajtur Super 10 e deri në kategorinë C të këtij sporti. Më të njohurit prej tyre janë Sevian Daupi që luan për Kazino Veneciamestre, Damin Buzaj i Gran Parma, Ogert Paço i Alghero, Besmir Metaliaj i Rekos, Kreshnik Xhanari i Breshias. Në këtë ndeshje, me shumë mundësi mund të jetë i pranishëm edhe ministri i Sporteve të Shqipërisë, Ferdinad Xhaferraj, si dhe ambasadori ynë në Itali, përveç autoriteteve rajonale italiane që organizojnë këtë ngjarje. Ideatorët e këtij evenimenti Gasper Daupi dhe Piergiorgio Grizzo, teknik i kombëtares italiane të regbit, janë entuziastë për këtë ndeshje: “Skuadra është në një nivel të mirë. Jemi të sigurt që në këtë event do të marrin pjesë tifozë shqiptarë që jetojnë e punojnë në gjithë Italinë. Veç kësaj jemi të bindur që sporti i regbit në Shqipëri mund të bëhet një sport tërheqës”, janë shprehur dy ideatorët e kësaj ndeshjeje, e cila më në fund do të shënojë edhe debutimin në fushën e lojës për kombëtaren ndoshta më të re të botës në këtë sport, atë të Shqipërisë.
#