E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe nis grumbullimin mes kaosit, lista e lojtarëve del sot

SHKRUAN: Jeton Selimi 17-06-2011 12:21

Argjentina duhej të ishte miqësorja e luksit, por është kthyer në miqësoren e ankthit për Kuzhen dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Pasi kanë marrë një “jo” të thatë nga pjesa dërrmuese e senatorëve kuqezi, trajneri kroat është detyruar të nxjerrë nga garazhet mjetet e emergjencës. Thuajse të gjithë ata që do të thirren nën armë janë elementë të superligës shqiptare, me përjashtim të Ervin Bulkut. Megjithatë, federata po bën çmos të sajojë diçka, pasi Shqipëria jo vetëm që do të rrezikojë të bëjë një figurë të keqe në sytë e tërë opinionit futbollistik botëror, nëse nuk arrin të sigurojë shërbimet e elementëve që janë në gjendje për të veshur fanellën kuqezi, por mund të arkivojë në Buenos Aires një humbje me përmasa të frikshme. Dhe është e natyrshme ta kesh mendjen pikërisht te humbja, kur dihet se Batista ka ndërmend të aktivizojë në Ditën e Flamurit të Argjentinës armatimin e rëndë, ose e thënë ndryshe Mesin, Tevezin apo edhe Higuainin. “Shpresoj të na bëhen 16 lojtarë, se edhe me aq do të kemi mundësi të krijojmë një skuadër për ta zhvilluar këtë ndeshje, por do të jetë çdo gjë shumë e vështirë. Kjo nuk është një situatë normale, që të mos përgjigjen lojtarët, por do ta gjejmë një zgjidhje me emra të rinj dhe me atë pjesë që ka mbetur. Ku qëndron problemi? Një pjesë kanë probleme me klubet dhe më vjen keq për këtë. Mund të përmend Dallkun, Telin, Agolli, të cilët edhe pse kanë shprehur dëshirën për të luajtur, kanë hasur në pengesën e klubeve ku luajnë. Pjesa tjetër kanë zgjedhur pushimet”, është shprehur kroati Kuzhe, rreth kësaj situate aspak normale, që e ka befasuar edhe atë vetë, por është lehtësisht e kuptueshme se në këtë pjesë të sezonit të gjithë lojtarët përpiqen të pushojnë dhe të rikuperojnë nga dëmtimet e vitit që sapo është mbyllur për të qenë të gatshëm në muajin gusht për klubet e tyre. Të sigurt Kapllani e Bakaj. Duke parë këtë situatë, FSHF ka vendosur që ta shtyjë ende listën e lojtarëve që do të grumbullojë. Është e sigurt se një pjesë e mirë e këtyre elementëve do të vijnë nga ekipi i Skënderbeut, skuadra kampione në fuqi, por priten edhe lojtarë nga U-21, si Roshi apo Vajushi, që besohet se mund të udhëtojnë drejt Amerikës së Jugut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›