E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça nuk e refuzon kthimin në shtëpi

Shkëlqim Muça do të jetë trajneri që do të drejtojë Tiranën në sezonin 2011-2012, pas akordit paraprak me presidentin e bardhebluve, Refik Halili. Për Muçën bëhet fjalë për një rikthim në shtëpi, pasi ai ka qenë 4 herë kampion si lojtar, 3 herë kampion si trajner dhe për shumë vite në rolin e sekretarit të klubit më me shumë tituj në Shqipëri, 24 tituj kampionë, 14 kupa dhe 8 Superkupa te Shqipërisë. Si lojtar, Shkëlqim Muça e ka fituar titullin kampion në sezonet 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1998-1999. Si trajner, ai ka fituar me Tiranën në sezonin 1994-1995, 1999-2000, 2006-2007 dhe 2009-2010 (me Dinamon). Në palmarasin e Shkëlqim Muçës janë 1 Kupë e Shqipërisë (2000-2001) si dhe 1 Superkupë e Shqipërisë (2000-2001).

52-vjeçari Shkëlqim Muça ka drejtuar gjatë karrierës së tij si trajner Tiranën (1994-1995, 1995-1996, 1999-2000, 2005-2006), Teutën (1996-1997), Besën (1998-1999), Dinamon (shkurt 2009-qershor 2010) si dhe Skënderbeun (korrik 2010-shkurt 2011). Sezonin e kaluar, Shkëlqim Muça drejtoi Skënderbeun deri në javën e 20-të, për t’ia lënë me pas vendin Shpëtim Duros, me këtë të fundit që fitoi edhe titullin kampion me skuadrën korçare. Për pankinën e Tiranës, pas largimit të kroatit Misho Krstiçeviç, u përmenden edhe emrat e Alban Tafajt, Sulejman Starovës dhe së fundi edhe të Edmond Gëzdarit. Aventura e Muçës me Tiranën nis në turin e dytë eliminator të Europa League, kjo edhe nga fakti se bardheblutë marrin pjesë në Europë si fitues të Kupës së Shqipërisë (për herë të 14-të, Muça personalisht e ka fituar 3 herë si lojtar). Muça ka zhvilluar 16 ndeshje me kombëtaren (1982-1987), duke shënuar 2 gola, respektivisht në ndeshjen Shqipëri-Spanjë 1-2 (3 dhjetor 1986, eliminatoret e Kampionatit Europian 1988) dhe Rumani-Shqipëri 5-1 (25 mars 1987, eliminatoret e Kampionatit Europian 1988).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›