TemA TV/ Kuvendi miraton tre ligjet e famshme (VIDEO)
(E PERDITESUAR)-Kuvendi ka miratuar më në fund tre ligjet e ashtuquajtura të integrimit, duke i dhënë kështu fund diskutimeve dhe akuzave thuajse të përditshme për këto ligje.
Projektligji “Për nëpunësin civil”, një nga 12 rekomandimet e Bashkimit Europian, në kuadër të strategjisë për reformën në administratën publike, u miratua me 107 vota pro dhe 2 abstenime.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 108 vota pro rregulloren parlamentare , si dhe me 108 vota pro dhe 1 votë kundër projektligjin “Për Gjykatën e Lartë”.
Kryeministri Sali Berisha, që thirri këtë seancë, tha se opozita e bllokoi votimin me argumentin e Fierit.
Po tani ku e keni Fierin, tha Berisha.
Shkaku themelor i thirrjes së parlamentit është votimi i 3 ligjeve, për të cilat Partia Demokratike ka bërë thirrje për votim. Në votimin e sotëm, pasi u varros statusi për një vit, parlamenti kryen një akt me të cilin kursen një shumë të konsiderueshme parash që do përdorej për referendum.
Parlamenti i bën ligjet aktive me votën e tij dhe në këtë mënyrë kursen rreth 6 milionë euro, pasi janë humbur disa miliona euro pas shkelmimit që bëri kreu i PS-së statusit të vendit kandidat. Ndaj dhe shqiptarët duhet ta dinë mirë se ata të cilët shkelmuan, hodhën në kosh 3 ligjet që kërkoheshin për marrjen e statusit, krijuan një pellg të zi. N.q.s ju e votoni këtë ligj për shkak të rivalitetit të tmerrshëm të brendshëm, atëherë të jeni të sigurt që ky ligj do tju përvëlojë ju. Ju besoni se mund të lani sytë me ujin e pellgut të zi që krijuat, tha Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu u bëri thirrje opozitës që të votojë ligjin për amnistinë.
Kryetari juaj është politikan kioskë, ai thotë do fal gjobat e 1 marsit e këtej, pse të 1 shkurtit apo 1 janarit jo? Të votojmë dhe amnistinë si një akt të denjë dhe e mbyllim këtë seancë me vendime shumë të rëndësishme, nuk keni shkak të refuzoni amnistinë, çfarë do u thoni atyre që kanë punësuar mijëra vetë, biznesmenëve të Elbasanit, Bashkim, çfarë do u thuash biznesmenëve të Korçës që nuk voton amnistinë, ska asgjë partiake, kryetari yt premtoi të heqë gjobat e 1 marsit e këtej, ti bëjmë qytetarët të drejtë para ligjit, pse vini me paragjykime. Është kollaj të futesh në fabrikat e tyre për ndonjë votë, doni konsultime mes tuaj, merrni kohën që ju duhet. Ligjin e kemi gati ta votojmë. E lëmë sa të doni ju. E lëmë deri në dhjetor sa të doni ju. Shteti nuk ka inate, partitë kanë inate. Kjo është seanca e fundit, të votojmë 3 ligjet, të votojmë amnistinë. Nuk ka mënyrë më të ndershme që Parlamenti ta mbyll me amnistinë, tha Berisha.
Pas deklaratave të Berishës, ka reaguar deputeti socialist, Ditmir Bushati.
A nuk do të ishte mirë që ju i pari të kërkoni falje. Unë nuk e di si ju përgjigjeni ju mbesave tuaja kur ju pyesin se përse Shqipëria nuk është Bullgari apo Rumani. Ne duam ti miratojmë këto ligje që mos të bëjmë të njëjta gabime si ju. Ju jeni qeveria e parë post-komuniste që bojkotoni Komisionerin për Zgjerimin. Ju thoni se po të merrej statusi, emigrantëve do t`ju njihej vjetërsia e punës. Të gjithë këto janë mashtrime sepse çështjet e punësimit, lëvizjes së lirë nuk janë pjesë e statusit. Shqipëria nuk ka mungesë fondesh, por ka mungesë kapacitetesh për të thithur fonde, tha Bushati./ep