VENDIMI/ Stacion policie tek Rezervat e Shtetit, aty ku ruhen materialet zgjedhore
Urdhri i Mulit: 70 policë për ruajtur përfaqësitë diplomatike dhe tunelin e Krrabës
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka urdhëruar ngritjen e një stacioni të ri policie.
Urdhri i ministrit, pak ditë para zgjedhjeve, ka marrë dhe miratimin e kryeministrit Sali Berisha, i cili në mbledhjen e qeverisë ka vendosur dhe hapësirat se ku do të dislokohet stacioni më i ri i Policisë së Shtetit.
Sipas urdhrit të Nokës, stacioni i policisë do të ketë një organikë prej 70 efektivësh dhe do të jetë i pozicionuar tek Rezervat e Shtetit, ambiente këto që janë në pronësi të Ministrisë së Brendshme.
Urdhri
Më 10 prill të këtij viti, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka urdhëruar ngritjen e një stacioni të ri policor.
Noka e argumenton domosdoshmërinë e këtij stacioni me ruajtjen e përfaqësive diplomatike dhe të tunelit të Kërrabës.
Urdhri, përveç numri të organikës, nuk ka relacion shoqërues mbi domosdoshmërinë e ngritjes së një poste policie.
Ndërkohë që zona, në të cilin do të vendoset nënstacioni policor, deri më tani nuk njihet si problematike sa i përket rendit dhe sigurisë publike.
Përkundrazi, zona e Farkës dhe Lundrës, fshatrat që do të mbulojë ky stacion policie, njihet si ndër më të qetat në Tiranë sa i përket krimit dhe vjedhjeve.
Kjo jo vetëm se ka një numër të vogël popullsie, por kryesisht se zona është me banesa rezidenciale dhe qendra tregtare dhe rezidenca private, që janë edhe nën ruajtjen e policive private. Pikërisht në një prej këtyre rezidencave private jeton edhe djali i kryeministrit Shkëlzen Berisha apo edhe disa ministra, gjyqtarë dhe prokurorë.
Sipas burimeve të gazetës TemA, kërkesa për ngritjen e kësaj stacioni policie ka ardhur pikërisht nga ky komunitet.
Ndërkohë që një fakt tjetër dyshues është se ky stacion do të vendoset në afërsi të magazinave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku merren në ruajtje materialet zgjedhore.
Stacioni pritet të ngrihet dhe të funksionojë pak ditë parë datës së zgjedhjeve.
Vendimi i qeverisë
Në mbledhjen e qeverisë Sali Berisha ka vendosur se ku do të instalohet stacioni më i ri i Policisë së Shtetit.
Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të pronës Kapanoni 22, me sipërfaqe 290.7 (dyqind e nëntëdhjetë pikë shtatë) m2, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit te Ministria e Brendshme, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për sistemimin e Stacionit të Policisë, Farkë, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ngritja dhe funksionimi i nënstacionit të policisë, pas kësaj VKM-je është çështje ditësh, pasi është miratuar struktura dhe organika e tij.
Kështu, Seksioni i Sigurisë Publike të Farkës do të këtë një personel prej 70 vetash. Seksioni do të drejtohet nga një komisar, që deri më tani ende nuk është emëruar nga Ministri. Burime të besueshme bëjnë të ditur se ky post është tejet i lakmuar nga një numër i madh policësh që janë afër Nokës.
Po kështu, në organikë të tij seksioni do të jenë 25 inspektorë që do të merren vetëm më ruajtjen dhe sigurinë e rezidencave diplomatike dhe ato private.
Ndërsa një personel prej 20 policash, do të marrin nën ruajte tunelin e Krrabës./l.ç