LASK në Mitrovicë
Skuadra austriake, LASK Linz në fund të muajit maj pritet të zbarkojë në Kosovë.
Austriakët vijnë në vendin tonë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj kampionit aktual të Kosovës, Trepçës, takim ky që pritet të zhvillohet në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.
LASK Linz - ku luajnë dy shqiptarë, Klodian Duro e Emin Sulimani - në Mitrovicë pritet të zbarkojë me ftesën që ia ka bërë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
“Kryetari Fadil Vokrri po vazhdon akoma të punojë në këtë drejtim. Austriakët kanë shprehur gatishmërinë dhe kanë vullnet të mirë që të vijnë ta zhvillojnë atë ndeshje miqësore ndaj kampionit aktual, Trepçës, e cila pritet të zhvillohet në fund të majit. Tani pritet ta caktojmë edhe terminin e zhvillimit të ndeshjes”, deklaroi për Express, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Salihu nuk beson se edhe kjo miqësore, tashmë e paralajmëruar, do të dështojë, ashtu siç i dështuan së fundmi dy ndeshje të paralajmëruara përfaqësueses së Kosovës ndaj Dinamo Zagrebit dhe Bursasporit.
“Gjithmonë eksiton rreziku për të dështuar, por kësaj radhe nuk besoj, sepse ndeshja zhvillohet në nivel klubesh, e jo me përfaqësuese. Po ashtu, vetë ekipi austriak ka vullnet të mirë për të ardhur”, theksoi ai.
Madje, drejtuesit e shtëpisë së futbollit kosovar i kanë njoftuar edhe zyrtarët e Trepçës, me faktin që ua kanë aranzhuar këtë miqësore. “FFK-ja na ka njoftuar se do të luajmë ndaj LASK Linz në fund të majit, por detajet e tjera pritet të bëhen të ditura shpejt”, tha për Express, sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu, i cili mbetet me shpresë që skuadrës së tij mos t’i dështojë kjo miqësore.
“Kjo miqësore është e mirëseardhur për skuadrën tonë, ndonëse pak e vonuar, sepse kemi pritur se një miqësore të tillë ta zhvillonim më herët, përkatësisht atëherë kur u shpallëm kampionë. Megjithatë, kjo miqësore është e mirëseardhur për futbollistët tanë, tifozët dhe qytetin tonë. Mitrovica e meriton”, tha Haxhiu, i cili beson se stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i stërmbushur me shikues në atë miqësore.
LASK Linz, ku pati luajtur futbollisti i ndjerë, Besian Idrizaj, thuajse i ka humbur gjasat për të mbetur në elitën e futbollit austriak. Ky ekip gjendet në vendin e fundit të tabelës me vetëm 16 pikë të tubuara.
Për klubet kosovare, miqësoret të tilla janë të mirëseardhura, duke pasur parasysh se ato vazhdojnë të mbesin të izoluara nga garat ndërkombëtare. Deri më tani, FC Prishtina ka qenë skuadra e vetme që i ka zhvilluar disa miqësore të tilla ndërkombëtare.
Ndërsa, në vështirësi akoma më të madhe për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare po has përfaqësuesja e Kosovës, së cilës brenda një kohe të shkurtër i dështuan dy ndeshje të paralajmëruara ndaj Dinamos së Zagrebit dhe Bursasporit, pasi FFK-ja vazhdon të mbetet jashtë FIFA-s e UEFA-s.