Liga e shtrenjtë
Për dallim prej ligave tjera evropiane, në Superligën e Kosovës nuk ekziston Liga U-21, në të cilën klubet e elitës do të garonin me ekipet e dyta, me ç’rast lojtarëve të rinj do t’u jepej hapësirë më e madhe për të luajtur.
Formimi i kësaj lige është mbështetur nga shtabi teknik i përfaqësueses së Kosovës, por edhe nga njohës tjerë të futbollit kosovar, të cilët vlerësojnë se ajo ligë do të ishte shpëtim për futbollistët e rinj, të cilëve skuadrat e tyre të Superligës nuk u japin hapësirë të mjaftueshme për të luajtur.
Idenë për formimin e kësaj lige e vlerësojnë si të qëlluar edhe përfaqësues të klubeve të Superligës. Mirëpo, udhëheqësit e tyre konsiderojnë se tani për tani është e pamundur formimi i saj, pasi do të ishte e pamundur për to të garonin në Ligën U-21 shkaku i krizës së madhe financiare me të cilën po ballafaqohet çdo skuadër.
Madje, edhe sikur të formohej kjo ligë, pjesëmarrjen në ato gara nuk mund ta garantojë as njëra prej skuadrave më të trofeshme në vend, Prishtina, e cila edhe që qëndron më mirë financiarisht nga klubet tjera.
“Klubi ynë e mbështet idenë e selektorit Albert Bunjaku dhe e konsideron si të qëlluar, dhe do të ishte mirë të realizohet. Por, ideja e themelimit të asaj lige është e pamundur të realizohet. Jam i bindur se asnjë klub i Superligës nuk është në gjendje të merr pjesë në atë ligë shkaku i krizës financiare”, tha nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi.
Muçiqi theksoi se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) urgjentisht duhet të zhvillojë politika të ndryshme, që do t’i hapnin rrugë nxjerrjes së futbollit nga kjo krizë financiare.
Njëjtë mendon edhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka. “Vërtet është një ide e qëlluar dhe ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në atë ligë, nëse ‘pro’ janë edhe klubet tjera. Por, druajmë nga kriza financiare, e cila nuk e di sa a do të na lejojë ta formojmë atë ligë, sepse atëherë klubet do të ballafaqoheshin edhe me disa shpenzime tjera shtesë”, tha Zeka.
Por, drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi, mendon se klubeve të Superligës nuk do t’u kushtonte aq shtrenjtë pjesëmarrja në garat e asaj lige.
“Nëse duam të ecën futbolli ynë përpara, ajo ligë duhet të formohet dhe Liria e mbështet plotësisht idenë. Nuk kishte me pas shpenzime aq të mëdha, sepse garat e asaj lige do të zhvilloheshin me orar të njëjtë me garat e Superligës. Fillimisht do të zhvilloheshin ndeshjet e asaj lige, më pas të Superligës. Ekipi i parë dhe i dytë do të udhëtonin bashkërisht”, tha Gashi.
Sido që të jetë, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se Komiteti Ekzekutiv i FFK-së është i hapur ta shqyrtojë mundësinë e formimit të saj lige. Megjithatë, edhe ai nuk beson se kjo ligë do të mund të formohet shpejt.
“Unë personalisht mendoj se themelimi i kësaj lige për edicionin 2011-12 është i pamundur për dy arsye: E para është se klubet janë në krizë financiare dhe nuk besoj se do të mund të garonin me ekipet e tyre në atë ligë, dhe e dyta është se ekziston rreziku me u margjinalizu ata futbollistë”, përfundoi ai.