LDD dënon tendencat për njollosjen e UÇK-së

Lidhja Demokratike e Dardanisë ka dënuar ashpër tendencat për njollosjen e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, duke tentuar që përmes raporteve skandaloze, të pavërteta dhe të fabrikuara të vënë në pyetje luftën e saj të drejtë për çlirim, liri dhe pavarësi.
Në takimin me kryetarët e degëve të LDD-së, kryesuar nga Nexhat Daci u vlerësua se zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010 u karakterizuan me një varg problemesh që ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
“Për shkak të ambientit politik agresiv dhe jo demokratik të krijuar, para dhe gjatë procesit, si dhe procesit zgjedhor të deformuar që nga elementet teknike si dhe ato organizative në vendvotime, në mbledhje u përkrah vendimi i Kryesisë që të mos pranohen rezultatet e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e LDD-së.
Më tej thuhet se në një ambient të tillë politik, zgjedhjet e mbajtura e të zhvilluara në tensione të larta, rezultuan në një produkt zgjedhor, ndërsa LDD-në e eliminoi nga vazhdimi i rrugëtimit të saj në Parlamentin e Kosovës, për të kontribuar në krijimin e shtetit kushtetues dhe demokratik.