E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK: Blerim Rexha, emërim politik në krye të Bordit të AKP-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmjet një komunikate, shpreh qëndrimin e saj kundër politizimit të institucioneve të pavarura, duke vlerësuar se Blerim Rexha është vendosur në krye të Bordit të Agjencionit të Privatizimit në mënyrë jo të rregullt.

Sipas LDK-së, Rexha, si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, deri dje votonte nëpër kuvendet zgjedhore të PDK-së, ndërsa sot merr përgjegjësi për të privatizuar pasurinë e qytetarëve të Kosovës.

LDK vlerëson se një person i tillë nuk mund të jetë i pavarur në vendimmarrje.

“Me këtë emërim politik, PDK dhe Thaçi tentojnë të zhvatin pasurinë e qytetarëve të Kosovës, ashtu siç kanë vepruar deri më tani ku mbi 85 për qind e tokës bujqësore të privatizuar është shitur me çmim prej 1 deri në 3 euro për një ari”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kjo parti.

LDK qartëson se nuk i njeh këto emërime.

“LDK dëshiron të bëjë të qartë për këta persona se sapo LDK-ja të vijë në pushtet do të shkarkohen. LDK ju bën thirrje personave të tillë, që marrin përgjegjësi në kuadër të institucioneve të pavarura se do të përballen me ligjin për veprimet e tyre që paraqesin konflikt të interesit”.

Në kumtesën e LDK-së thuhet se kjo parti nuk do të lejojë që të nëpërkëmbet pasuria e qytetarëve të Kosovës nga klani politik i Thaçit dhe PDK-së. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›