E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kompanive të pasaportave u përmendet ryshfeti

Katër kompanitë e huaja që po garojnë për tenderin problematik të vazhdimit të prodhimit të pasaportave biometrikë janë deklaruar se janë në rregull me ligjin. D&G në vitin 2010 është hetuar nga autoritetet gjermane, por zyrtarët e saj thonë se dolën pastër. Ajo ka pasur kontratë edhe me OeSD-në austriake, së cilës këtë muaj Ministria e Brendshme ia ndërpreu kontratën pas skandalit të zhdukjes së 1.4 milionë eurove. Kompania holandeze MORPHO është pjesë e grupit Safran që në shtator 2012 u gjobit nga një gjykatë në Paris me 500,000 euro për dhënie ryshfeti në një tender të ngjashëm në Nigeri.
Katër kompanitë konkurruese në tenderin e ri të Ministrisë së Brendshme për furnizim me pasaporta biometrike, pas shkëputjes më herët këtë muaj të kontratës me OeSD-në nga Austria, janë deklaruar në dokumentacionin e tyre ofertues se janë në rregull me ligjin, por së paku një nga to del se ishte gjobitur për ryshfet.

Kompanitë janë MORPHO nga Holanda, G&D (Giesecke & Devrient) nga Gjermania, CETIS nga Sllovenia dhe konzorciumi AKD-KING ICT nga Kroacia.

Kompania MORPHO shkruan në faqen e vet zyrtare se është e shtrirë në 40 vende të botës. Ajo është pjesë e grupit Safran me bazë në Francë që në shtator 2012 është gjobitur nga një gjykatë në Paris.

Grupi është gjobitur me 500,000 euro për dhënie ryshfeti zyrtarëve të lartë të Nigerisë për të fituar një kontratë në vlerë 170 milionë euro më 2000/2003 për prodhimin e 70 milionë dokumenteve të identitetit, pati raportuar Reuters më 5 shtator 2012.

Në tenderin e MPB-së, kompania MORPHO ka deklaruar se është me prejardhje nga Holanda.

Në njoftimin për kontratë të publikuar nga MPB, në pikën III.2.1 që flet për “Kërkesat e Përshtatshmërisë”, kompanive u kërkohet edhe deklarata nën betim.

Në kuadër të kësaj pike, ato kanë qenë të obliguara të ofrojnë edhe dokumente të lëshuara nga gjykata kompetente me të cilat vërtetohet nëse kompanitë kanë rënë ndesh me ligjin.
Agim Islami, drejtor i prokurimit në MPB, thotë se secila kompani në kuadër të deklaratës nën betim, ka dorëzuar dokumentin përkatës nga gjykata e shtetit nga vjen. "Secila kompani në kuadër të deklaratës nën betim, ka dorëzuar dokumentin përkatës nga gjykata e shtetit nga vjen" ka thënë Islami.

Ligji për prokurimin publik i Kosovës, neni 65, thotë se operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara “është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhet ose aktivitetet e ngjashme me ato...”.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka kërkuar sqarime MORPHO-s, por nuk ka marrë përgjigje.

“Me dokumentin që ka dorëzuar vërteton se nuk ka pasur probleme me ligjin”, thotë Islami. “Ne nuk jemi as polici, as prokurori as hetues të hetojmë nëse ato që kanë deklaruar janë të vërteta ose jo”./gazetajnk/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›