LDK: Joseriozitet në menaxhimin e etheve hemorragjike

Këshilli i Ekspertëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehu shqetësimet lidhur me qasjen joserioze të Qeverisë në menaxhimin e etheve hemorragjike në regjionet endemike. Këto regjione përfshijnë rreth 35% të territorit të vendit.
Sipas LDK-së numri i të sëmurëve dhe të spitalizuarve vazhdon të rritet në mënyrë të shpejtë dhe Qeveria është vonuar edhe këtë vit me masat për parandalimin dhe menaxhimin e të sëmurëve nga kjo sëmundje infektive.
“Konsiderojmë se përgjegjës për këtë në radhë të parë janë MSH, IKSHP, po ashtu edhe sektorë tjera si ai bujqësisë, ambientit e të tjerë, për faktin se nuk ndërmorën me kohë masat parandaluese adekuate”, thonë ekspertët e LDK-së.
Sipas tyre nuk është punuar në vetëdijesim të popullatës për masat konkrete dhe ndihmën financiare për mirëmbajtje higjienike të bagëtive, shtallave, largimit të plehrave dhe spërkatjes së tyre me akaricide, spërkatjes nga ajri të zonave endemike ashtu siç praktikohet në vendet e rajonit Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.
“Për më tepër, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të mobilizohet dhe organizojë një sistem adekuat të referimit të pacientëve të infektuar, të cilët fatkeqësisht, shpesh humbin kohën optimale të trajtimit duke u dërguar nga një institucion shëndetësor në tjetrin, duke shtuar kështu rrezikun e infeksionit të punëtorëve shëndetësorë dhe personave tjerë kontaktues”, thuhet në komunikatë.
Grupi i ekspertëve për Shëndetësi i LDK-së rekomandon që së pari, institucionet shtetërore, posaçërisht ato shëndetësore, të mobilizohen dhe ndërmarrin të gjitha masat konkrete për sanimin e gjendjes akute, zvogëlimin e panikut tek banorët e rajoneve endemike dhe sigurimin e jetës së tyre.
Sipas tyre, me qëllim të shpëtimit të jetëve të njerëzve, të konsiderohet mundësia e spërkatjes nga ajri të zonave endemike.
“MSH të përmbushë obligimet e saja ligjore për sigurimin e mjaftueshëm të barnave adekuate për trajtimin e sëmundjes. Urgjentisht duhet të sigurohen mjete financiare për të gjitha masat dhe medikamentet e nevojshme për trajtimin e personave të infektuar dhe zvogëlimin e mundësive të transmetimit të sëmundjes”, thuhet ndër të tjera në kumtesë./Indeksonline/