E Hënë, 2 Nëntor 2026

LDK akuzon Vetëvendosjen për bllokimin e buxhetit të Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) se po zhvillon një fushatë mashtrimi politik lidhur me bllokimin e buxhetit komunal të Prishtinës.

Në një deklaratë për media, LDK tha se Vetëvendosja po përpiqet të shmangë përgjegjësinë duke pretenduar merita për një proces që, sipas tyre, e ka bllokuar tri herë radhazi.

Sipas dokumenteve të përmendura nga LDK, bartja e të hyrave vetanake të komunës ka dështuar më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025, pasi asamblistët e VV-së votuan kundër.

Kjo, sipas LDK-së, ka paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe ka dëmtuar funksionimin e kryeqytetit.

LDK akuzon Vetëvendosjen se ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për të shërbyer interesave partiake.

“Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike,” thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK thotë se partia e Albin Kurtit ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake dhe nuk kanë asnjë fakt që mbështet pretendimet e tyre mbi bllokimin  e mjeteve buxhetore për Prishtinën.

“Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik”, deklaron LDK-ja.

Në fund, LDK-ja pohoi se do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, “dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›