E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, Osmani flet nga Shkodra: Proces normal, presim krijimin e shpejtë të qeverisë

Nga qyteti i Shkodrës, ku po zhvillon një vizitë në prag të Festave të Nëntorit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Prishtinë. Ajo i cilësoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit si një proces normal demokratik, duke shprehur optimizëm për periudhën paszgjedhore.

Gjatë takimit me Kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, Presidentja theksoi rëndësinë e konstituimit të shpejtë të institucioneve të reja.

“Situatat politike apo kjo që po ballafaqohet Kosova për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë normale në demokraci. Shpresa ime është që menjëherë pas zgjedhjeve të kemi konstituim të Kuvendit dhe të kemi qeveri sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës mezi presin,” deklaroi Osmani.

Rruga Shkodër-Gjakovë dhe mirënjohja historike

 Një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus infrastrukturën. Osmani vlerësoi projektin e rrugës Shkodër-Gjakovë si një arterie strategjike.

“Unë besoj që rruga Shkodër-Gjakovë, do të hapë edhe më shumë rrugë të tjera jo vetëm fizike dhe gjeografike, por edhe rrugë bashkëpunimi në ekonomi, turizëm dhe kulturë,” u shpreh ajo.

Presidentja nuk la pa përmendur lidhjen e fortë emocionale dhe historike me Shkodrën, duke kujtuar mikpritjen e shkodranëve gjatë luftës.

“Është një qytet që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të rënda. Ju e dini që edhe në 1998-1999, qytetarët e Gjakovës kanë ndenjur këtu. Shkodra ka qenë krah nesh edhe për rindërtimin tonë,” tha Osmani.

Festa e “katërfishtë”

Duke folur për simbolikën e 28 Nëntorit, Presidentja Osmani nënvizoi se për Kosovën kjo datë mbart një peshë të shumëfishtë historike.

“Për ne është festë e katërfishtë. Përveç festës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, është ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari, përvjetori i daljes publike të UÇK-së dhe dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës,” theksoi ajo.

Agjenda e festimeve të Presidentes Osmani do të vijojë ditën e nesërme me vizita në Vlorë dhe në Tiranë, për t’u bashkuar në festimet qendrore të Ditës së Flamurit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›