E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK e Gjakovës e pakënaqur me qendrën

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjakovë konsideron se shumë sfida kanë përcjell LDK-në në përgjithësi, por edhe degën e Gjakovës në veçanti!

Sipas kësaj dege, Gjakovë është e para që paralajmëroi shkeljen e rregulloreve e statutit të LDK-së.

LDK e Gjakovës duke hedhur kritika indirekte në drejtim të liderit të LDK-së, Isa Mustafa, konsideron se Gjakova po ashtu ka konstatuar se kjo çfarë po ndodh tani e sa kohë është fillimi i dështimit të “reformave” të lidershipit aktual të LDK-së.

“Sfida më e madhe e këtij viti mund të konsiderohet përjashtimi i kuadrove të partisë në të gjitha nivelet, fillimisht ishte përjashtimi i 23 nëndegëve të LDK-së, FR-së e FG-së nga Gjakova (akt i mbetur në tentativë) për të formuar më tej një strukturë paralele. Është përjashtimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, veprim i cili u bë në mënyrën më qyqare të mundur”, ka konsideruar kjo degë.

Por, LDK e Gjakovës nuk është ndalur më kaq, duke konsideruar që me statutin e ri të partisë, pos neneve të përfolura që janë tepër të rrezikshme për lirinë e fjalës e mendimit politik brenda LDK-së, janë përjashtuar katër gjenerata nga Forumi i Rinisë. “ Përjashtimi total, moslejimi në Kuvendin zgjedhor të FR-së, për degët e Gjakovës e Podujevës, dy bastione të LDK-së! Lidershipi aktual i LDK-së, përmes aktivitetit të vet anti-statutar, ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e rrjetin e shtrirjes së LDK-së në Kosovë”.

Sipas, LDK-së së Gjakovës, nëse vazhdohet me këtë trend të veprimit, më shumë anëtarë të LDK-së do të jenë jashtë se sa brenda strukturës partiake. “Këtu kujtojmë rezultatin e “reformave” në Kaçanik e Ferizaj! Të përmendim edhe çrregullimet e shkaktuara, në emër të reformës, në Pejë, Obiliç, Viti, Fushë-Kosovë, Therandë, Klinë, Lipjan, Prizren, Ferizaj e gjetiu”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›